LAJMET E MBRËMJES

Drejtori i Policisë thotë se në Njësinë e Veçantë të Hetimeve nuk ka largime me urdhra politikë

Raportimi i drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha, në Komisionin Parlamentar për Siguri është përcjellë me përplasje verbale mes ligjvënësve të opozitës me ata të pushtetit. Drejtori i Policisë u akuzua se ka zbatuar urdhra politikë duke larguar njerëz që kanë hetuar persona të lidhur me pushtetin. Por, ato i mohoi Gazmend Hoxha

Me akuza e përplasje verbale mes deputetëve të opozitës dhe atyre të pushtetit u përcoll mbledhja e Komisionit parlamentar për Siguri, në të cilën raportoi drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha. Debati u bë për largimin e Shemsi Hazirit nga pozita e shefit të Task-forcës antikorrupsion.

Kryesuesi i Komisionit, Bekë Berisha, ngriti dyshimet se drejtori i Policisë, me urdhër politik, e largoi Hazirin vetëm për shkak se ishte duke bërë hetime në rastin e ambasadorit Martin Berishaj.

“Majori Shemsi Haziri kishte qenë tri herë në takime, dy herë në Malin e Zi, dhe një herë në Slloveni për rastin e Martin Berishës. Dhe pas kthimit të majorit nga Mali i Zi, herën e fundit ka ndodhur transferimi. Ky paska qenë pikë kontakti e vetme me hetuesinë e Malit të Zi dhe ky për atë arsye është larguar nga hetimi. Pastaj i keni thënë ju drejtor, ‘ti duhet me u hequr prej këtu’. Nënkuptohet prej presionit politik, në fakt edhe kështu funksionon politika përmes drejtorit. Mirëpo, pse me u heq ky (Haziri), kur iu paska pas ofruar hetimit dhe pa asnjë arsye”, ka thënë Bekë Berisha.

Berisha, i cili është deputet i AAK-së, mori kritika nga kolegu i tij nga radhët e Vetëvendosjes, Enver Dugolli.

“E para herë që po ndodh në Kuvendin e Kosovës kur thirret një institucion kaq i lartë siç është drejtori i Policisë, edhe i bëhen këso akuza, që nuk e di edhe prokurori a kishte me qenë në gjendje ta bënte një gjë të tillë me emra, mbiemra e dyshime”, ka theksuar Dugolli. 

Në këtë linjë argumentoi edhe deputetja e Vetëvendosjes, Shqipe Mehmeti-Selimi, por Berisha iu kundërpërgjigj.

“Mos me pengo, jam duke folë. A jam duke e folur unë fjalën. Mbylle pra”, i drejtohet Berisha.

E deputeti tjetër opozitar, Anton Quni, tha se deklaratat e kryesuesit të Komisionit duhet të merren seriozisht nga Prokuroria.

“Nëse këto qëndrojnë, me të vërtetë është shqetësuese dhe do të duhej me u shqetësua edhe kolegët e mi pa marrë parasysh se cilës parti politike i takojnë. Nuk mundemi me kaluar përtej këtyre pretendimeve dhe thjesht me heshtë, sepse nëse këto qëndrojnë, nuk është vetëm problem i policisë, por është problem i shoqërisë dhe shtetëror”, ka theksuar Quni. 

Akuzat e Berishës i mohoi drejtori i Policisë. Ai tha se largimi i Hazirit është bërë në kuadër të reformave dhe jo për shkak të urdhrave politikë. 

“Nga Njësia e Veçantë e Hetimeve nuk ka pasur largime apo transferime të asnjë polici apo të asnjë eprori jashtë njësisë përveç majorit Shemsi Haziri, i cili është transferuar në kuadër të reformave që unë kam zbatuar me qëllim të arritjes së vizionit dhe objektivave të mia… Ju përmendët disa emra që kanë lëvizur nga kjo njësi, unë ju garantoj se gjithë këto lëvizje janë bërë me kërkesën e policëve vetë”, ka deklaruar Gazmend Hoxha, drejtor i përgjithshëm i Policisë. 

Opozita ka kritikuar vazhdimisht Vetëvendosjen, për synim që të shtrijë ndikimin në institucione të pavarura.