Në Ditën Botërore të Parandalimit të Vetëvrasjes është dorëzuar në Kuvend peticioni i nënshkruar nga 13 mijë qytetarë, i cili kërkon nga deputetët ta miratojnë projektligjin për parandalimin e vetëvrasjes. Drejtori i “Linjës së Jetës”, Bind Skeja, e ka quajtur arritje të jashtëzakonshme nisjen për herë të parë të hartimit të politikave të tilla
Ardona Popova
Në Ditën Ndërkombëtare të Parandalimit të Vetëvrasjes, të hënën, në Kuvend është dorëzuar një peticion me mbi 13 mijë nënshkrime.
Përmes tij kërkohet nga deputetët të miratojnë projektligjin për parandalimin e vetëvrasjes.
Drejtori i “Linjës së Jetës”, Bind Skeja, ka thënë se është i nevojshëm miratimi i tij.
“Kjo shënon një arritje të jashtëzakonshme në trajtimin e vetëvrasjes në Kosovë, duke filluar për herë të parë procesin e hartimit të politikave të cilat preokupimin kryesor e kanë reduktimin e vetëvrasjeve nëpërmjet trajtimit të dinjitetshëm të bashkëqytetarëve tanë. Jua rikujtoj se nëpërmjet këtij peticioni ne kërkojmë një ligj që rregullon shërbimet klinike për parandalim të vetëvrasjes. Integrimin e parandalimit të vetëvrasjes në objektiva institucionale. Mekanizma për ngritje të profesionalizmit dhe kujdesit të mediave ndaj rasteve të raportimit të vetëvrasjes. Shërbime dhe mbështetje sociale joklinike”, ka thënë Skeja.
Skeja e ka quajtur joserioze qasjen e Kuvendit për mospritjen e ekipit që e ka dorëzuar peticionin.
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Parandalimin e Vetëvrasjes, nga “Linja e Jetës” është organizuar edhe një tryezë diskutimi me titullin “Ta ndryshojmë narrativen si flasim për vetëvrasjen”.
Nol Sahatçiu, i cili pati tentuar të vetëvritej, ka thënë se institucionet duhet të krijojnë më shumë kushte për aktivitete sportive dhe edukative për rininë.
“Për shkak të mungesës së aktiviteteve të ndryshme, sportet, mundësive për zhvillim, rinia i kthehet drogës si një prej zgjidhjeve të vetme në Kosovë. Abuzimi me drogë çon deri te degradimi i shëndetit mendor e degradimi i shëndetit mendor çon deri te mendimet për vetëvrasje”, ka thënë Sahatçiu.
E deputetja Fatmire Kollçaku ka kërkuar që të bëhen strategji për shëndetin mendor.
“Ne kemi iniciu dhe letra që kemi dërgu në ministri, është të hartohet një ligj i ri pasi ligji aktual nuk i plotëson kërkesat sidomos të kohës. Po ashtu është në hartim edhe strategjia për shëndetin mendor. Unë mendoj se para se me nxjerrë ligje ne duhet me pasë ligje për shëndetin mendor e prej saj derivojnë ligjet e tjera”, ka thënë Kollçaku.
Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se numri i vetëvrasjeve në vend këtë vit është më i ulët krahasuar me vitet e kaluara.
E sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ky fenomen është rritur me 60% në mbarë botën gjatë 45 vjetëve të fundit.
10 shtatori është përcaktuar si Dita Botërore e Parandalimit të Vetëvrasjeve. Qëllimi i kësaj dite është rritja e ndërgjegjësimit në lidhje me nevojën dhe detyrimin për të zbatuar veprimet që ndikojnë në parandalimin e vetëvrasjeve në nivel global.