Sipas raportit të koalicionit të organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, java e parë e fushatës elektorale për zgjedhjet e 9 shkurtit është karakterizuar me diskurs jo të drejtë, ku dominon gjuha e urrejtjes. Sipas këtij raporti ka pasur edhe keqpërdorim të resurseve publike për qëllime partiake e mospjesëmarrje të grave nëpër organizimet elektorale
Gjuha e urrejtjes nga kandidatët e zgjedhjeve të 9 shkurtit e nga qytetarët, shfrytëzimi i resurseve publike nëpër organizimet partiake, pjesëmarrja e grave nëpër tubime e çështjet më të diskutuara në 7 ditët e para të fushatës zgjedhore, janë disa nga temat e adresuara në raportin e koalicionit të organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” (DnV).
Përfaqësuesi i saj, Eugen Cakolli, tha se në 25 aktivitete partiake është përdorur gjuhë jo e drejtë në raport me procesin zgjedhor, sidomos nga partia në pushtet.
“Këtë javë kemi pasur ashpërsim dhe përkeqësim të gjuhës dhe diskursit të përdorur në fushatë. Në plot 25 aktivitete gjatë monitorimit të së cilave janë raportuar raste të përdorimit të gjuhës së nxitjes së urrejtjes, kryesisht mbi baza politike. Sipas intensitetit është e qartë se një gjuhë e tillë është e shprehur sidomos në aktivitetet e partisë në pushtet, pra LVV-së, ndonëse edhe në aktivitetet e partive të tjera, përfshirë LDK-në me 10 raste, PDK-në me 6 raste dhe AAK-në me dy raste”, ka thënë Cakolli.
Sipas raportit të DnV-së, nga 679 kandidatë për deputetë, në 50 raste është identifikuar gjuhë përçmuese e lajme të rreme të shpërndara nga ta.
Po ashtu, diskurs i urrejtjes është vërejtur edhe te qytetarët, ku brenda një jave në mbi 100 portale ekzistojnë 600 mijë komente me natyrë nxitëse.
Cakolli tha se gjuhë fyese nga ana e qytetarëve në masë më të madhe është shpërfaqur te kandidatet për deputete, por përmendi si problem edhe pjesëmarrjen e ulët të grave nëpër tubime politike.
E në këto ditë të fushatës rezulton se ka pasur edhe raste kur janë keqpërdorur resurset publike.
“Në të paktën 7 raste është vërejtur prani e veturave zyrtare, qoftë të nivelit qendror apo atij lokal, e ku në mesin e nivelit qendror në dy raste janë vetura zyrtare ku ka pasur tubime të partisë në pushtet dhe në pesë raste të tjera kur ka pasur aktivitete nga partitë në nivelin lokal me të njëjtat në qeverisje. Po ashtu në 11 aktivitete të tjera janë identifikuar raste kur zyrtarët publikë, qofshin nëpunës civilë, personel arsimor, shëndetësor e kulturor kanë marrë pjesë në aktivitetet e subjekteve politike gjatë orarit të rregullt të tyre të punës”, ka thënë Cakolli.
Ndërsa për sa i përket pjesëmarrjes së partive nëpër media, përfaqësuesja e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli-Nimani, tha se LVV-ja dominon si subjekti politik me më së paku pjesëmarrje. Nga 80 debate sa janë mbajtur brenda 1 jave në 11 mediume, LVV-ja ka qenë e pranishme në tri prej tyre.
“PDK-ja ka marrë pjesë në gjithsej 16 debate televizive, koalicioni AAK-Nisma dhe të tjerët në 16 debate, LDK-ja ka qenë e pranishme në 14 debate, Koalicioni për Familjen në 11 debate dhe LVV-ja e Partia “Fjala” kanë marrë pjesë vetëm në 3 debate deri më tani”, ka thënë Demolli-Nimani.
Sipas saj, hapësira më e madhe mediale i është kushtuar partive më të mëdha në vend dhe liderëve të tyre. Ndërsa, temat më të përmendura nëpër organizimet elektorale e debatet televizive janë arsimi, shëndetësia, infrastruktura dhe mirëqenia sociale.