Për intervistim, të martën kanë dalë para Komisionit hetimor parlamentar për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore drejtorët e Arsimit të komunës së Prizrenit dhe asaj të Ferizajt. Ata e kritikuan Ministrinë e Arsimit për formën e blerjes së teksteve shkollore, ndërsa e shprehën edhe ankesën se gjatë vitit të shkuar shkollor disa nxënës e kanë përfunduar gjithë procesin pa libra
Disa nxënës të Komunës së Prizrenit e kanë përmbyllur vitin e shkuar shkollor me mungesë të teksteve shkollore, ka thënë drejtoresha për Arsim e kësaj komune, Luljeta Veselaj-Gutaj.
Gjatë intervistimit në Komisionin hetimor parlamentar për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore, ajo ka shprehur ankesat e disa prindërve edhe për vonesa në rimbursim të mjeteve.
“Keni shkollën tjetër ‘Mati Logorezi’ që janë me emër dhe mbiemër se cila klasë e sa fëmijë nuk janë rimbursuar, që kanë aplikua ose s’kanë pasur mundësi me aplikua për shkak se sistemi ka qenë i mbyllur. Po ashtu, keni shkollën ‘Fatmir Berisha’ në qytetin e Prizrenit, keni shkollën ‘Ibrahim Fehmiu’ të gjitha këto janë të protokolluara”, ka thënë Veselaj-Gutaj.
Për pretendimet e saj, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kërkuan shifra konkrete. Dhe ajo dha një përgjigje.
“I ki të gjitha këtu në listë, me emër me mbiemër dhe në cilën klasë janë dhe këto i kam sjell për administratën e Komisionit”, ka thënë ajo.
Por deputeti nga partia në pushtet, LVV, Armend Muja, nuk u nda i kënaqur me përgjigjen.
“Ky komision i ka kërkuar listat qe një muaj”, ka deklaruar ai.
Veselaj-Gutaj më pas e kaloi në një rrafsh tjetër komunikimin me deputetin.
“Mos e ngrit zërin, se nuk keni të drejtë ta ngreni zërin para meje”, është shprehur ajo.
Për intervistim, të martën ishte edhe drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani. Ai ka thënë se në këtë komunë nxënësit nuk janë kompletuar me tekste shkollore deri në muajin tetor.
“I kemi edhe disa raporte nga shkollat që fundi i muajit shtator ka konstatuar se nuk kanë pasur të gjithë nxënësit tekste shkollore. Pastaj në muajin tetor kemi marrë informacione edhe nga libraritë që dikur ka fundi muajit tetor nxënësit kanë blerë ende tekste”, ka thënë ai.
Në kuadër të procesit hetimor për subvencionimin e blerjes së librave shkollorë, e ftuar për intervistim ishte edhe drejtoresha e Arsimit në Gjilan, Albana Demiri. Por intervisitimi i saj dështoi në mungesë të kuorumit.
E të hënën, në komision u intervistuan drejtorët e drejtorive të Arsimit në Prishtinë dhe Pejë. Edhe ata shprehën pakënaqësi me mënyrën që ka zgjedhur Ministria e Arsimit t’ua sigurojë librat nxënësve filloristë.
Vitin e shkuar, pasi nuk u arrit marrëveshje me shtëpitë botuese, Ministria e Arsimit vendosi që blerja e librave të bëhet na vetë prindërit me subvencionim të ministrisë.
Kjo nxiti pakënaqësi te disa deputetë opozitarë, për çka edhe u themelua një komision hetimor.