Dy kamionë dhe një veturë janë djegur të martën në orët e para të mëngjesit në Mitrovicë të Veriut. Policia ka njoftuar se fillimisht pati gjuajtje me molotov e më pas vënie e zjarrit të dy kamionëve. Polica rastin e ka iniciuar si zjarrvënie të qëllimshme, derisa me këtë rast kanë njoftuar se po merret edhe EULEX-i.
Mëngjesi i së martës në Mitrovicë të Veriut ka zbardhur me shenjat që ka lënë pas zjarri në dy kamionë të një kompanie shqiptare.
Para se t’u vihej zjarri dy kamionëve që përdoren për nevoja të një magazine ushqimore, sipas Policisë së Kosovës ka pasur edhe gjuajtje me molotov.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Veton Elshani, ka thënë për KOHË-n se rasti është iniciuar si “zjarrvënie e qëllimshme”.
Sipas Elshanit, përveç dy kamionëve nga zjarri është dëmtuar edhe një veturë që ishte e parkuar afër.
Ai ka bërë të ditur se nga zjarri nuk ka të lënduar dhe se autoritetet janë duke u marrë me rastin.
Për rastin, thonë se janë të informuar edhe në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Zëdhënësja Ioanna Lachana, ka thënë se rasti është duke u monitoruar edhe nga EULEX-i
“Jemi të vetëdijshëm se Policia e Kosovës aktualisht është duke e hetuar rastin e përmendur në emailin tuaj dhe presim që institucionet përkatëse ta ndriçojnë këtë rast. EULEX-i po monitoron nga afër rastin, si dhe situatën e përgjithshme të sigurisë. Duke qenë se aktualisht disponohen shumë pak detaje, ne nuk preferojmë të spekulojmë për mundësinë e incidenteve të tjera”, ka thënë Lachana.
Djegia e dy kamionëve të martën është paraprirë nga një varg rastesh të ngjashme në pjesën e parë të këtij viti.
Në qershor, dy vetura janë djegur në Mitrovicë, e në prill edhe një tjetër që ishte në pronësi të një pjesëtari të policisë kufitare.
Në mars, zjarri i është vënë edhe restorantit të ish-zv.kryetares së Zveçanit, Natasha Tomaniq e po ashtu edhe një objekti tjetër në pronësi të Nenad Radosavleviq, ish-drejtor i Administratës në Leposaviq.
Po ashtu më herët ka pasur edhe shumë djegie të veturave, pronarët e të cilave kishin zgjedhur t’i konvertonin targat e regjistrimit, mga ato ilegale serbe në RKS.