LAJMET E MBRËMJES

Dhunimi i 11-vjeçares, autoritetet formojnë komisione e qytetarët protestojnë në kryeqytet

Ka nxitur reagimin e autoriteteve dhe të shoqërisë civile dhunimi i 11-vjeçares nga pesë persona, që ka ndodhur të shtunën mbrëma në Prishtinë.

Qeveria ka themeluar një komision, i cili do të hetojë dhe hulumtojë faktorët që çojnë në kryerjen e abuzimeve të këtilla.

E, për tri orë rresht, në Ministrinë e Drejtësisë është mbajtur këtë të martë një takim i Grupit Përgjegjës Emergjent, në të cilin kanë marrë pjesë zyrtarë të kësaj ministrie, ata të policisë, prokurorisë, gjykatave e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Është ofruar mbrojtja e duhur e të dëmtares dhe shërbimet adekuate mbështetëse nisur nga ndjeshmëria e rastit. Duke qenë se kemi të bëjmë me të mitur kërkojmë mirëkuptimin për këtë. Qeveria do të krijojë një komision profesional, i cili do të analizojë dhe rekomandojë veprime konkrete në vijim. Komisioni do të bëjë një hulumtim kriminologjik të faktorëve që çojnë në kryerjen e veprimeve të tilla”, tha Nita Shala, zëvendësministre dhe koordinatore nacionale kundër dhunës në familje.

Dhunimi i 11-vjeçares ka nxitur edhe protesta në kryeqytet. Një e tillë është mbajtur të martën para Teatrit Kombëtarë të Kosovës, ndërsa një tjetër është paralajmëruar për të mërkurën.

“Jemi këtu prezent me shfaq një simpati ndaj vajzës së vogël që i ka ndodh rasti, njëkohësisht të dënoj këtë si akt, sepse qoftë i fundit ky. E shohim se jemi pak veta këtu por ata që jemi, jemi me zemër dhe me shpirt i shprehim së pari qëndrim, dinjitet për familjen e vajzës”, tha Lulzim Bexheti, qytetar në protestë.

“Unë e lus Vjosa Osmanin, Albin Kurtin, Albulena Haxhiun le t’i hulumtojnë pak prokurorët dhe gjyqtarët a po e kryejnë punën a po i kryejnë detyrat sipas ligjit, sipas Kushtetutës së Kosovës, tha qytetari Shukri Retkoceri.

“Ne si shoqëri nuk jemi duke bërë asgjë, nuk mundemi me prit prej shtetit për t’i kryer këto punë, na secili prej vetes sonë duhet të fillojë ndryshimin në këtë shoqëri”, tha aktivistja Xheraldina Rexhepi.

Deri më tani Policia e Kosovës ka arrestuar dhe ndaluar 5 persona, 4 prej tyre të mitur, për dhunimin e një 11-vjeçareje në Prishtinë.