Nga 2.083 persona sa kanë aplikuar për të marrë statusin e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës, 1.650 prej tyre u është njohur kjo e drejtë. Gjatë raportimit të anëtarëve të Komisionit Qeveritar që merren me njohjen dhe verifikimin e personave të dhunuar gjatë luftës në Komisionin për të drejtat e njeriut, pati edhe vërejtje nga deputetët
1.650 persona e kanë marrë statusin e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës nga 2.083 sa kanë aplikuar për të, ka bërë të ditur kryesuesja e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë, Leonora Selmani.
Ajo gjatë raportimit të hënën para deputetëve anëtarë të Komisionit Parlamentar për të Drejta të Njeriut, tha se edhe në rastet kur refuzohet aplikimi, ai rishqyrtohet disa herë kur ka ankesa.
“Çdo rast trajtohet veç e veç. Do të thotë çdo njëri prej rasteve e ka trajtimin e duhur po besoj prej të gjithë anëtarëve të komisionit dhe e shqyrtojmë disa herë, sidomos rastet që janë me ankesë dhe rastet të cilat janë refuzuar herën e parë dhe ato që vijnë në rivendosje”, ka thënë Selmani.
Deputetja Duda Balje njëherësh kryetare e Komisionit për të Drejta të Njeriut, shprehu vërejtjen për sjelljen e verifikuesve të viktimave.
“Ata kanë pasur më shumë ankesa te sjellja. Një grua ka thënë, ‘unë kur kam hy brenda, ata më kanë thënë hiç këmishën t’i shohim shenjat’. Shenjat pas 20 vjetëve! Këtu kemi pasur më shumë problem”, ka theksuar Balje.
Shpend Haxhibeqiri, anëtar i komisionit verifikues, i reagoi deputetes Bale, duke i quajtur të pasakta këto informata. Sipas tij, anëtarët nuk aplikojnë kësi lloj verifikimi.
Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë është themeluar në shkurt të vitit 2018, me mandat 5-vjeçar, por ndërkohë është vazhduar edhe për dy vjet.
Deputetja nga Vetëvendosje, Fatmire Mullhaxha-Kollçaku, tha se do të shqyrtohet mundësia që afati të vazhdohet për aq sa ka nevojë.
“Ne edhe atëherë kur është vendosur për zgjatjen e afatit edhe për dy vjet, ka qenë që t’i inkurajojmë të gjithë ata që duhet të aplikojnë që ta konsiderojnë këtë si të drejtë, e cila është e drejtë e garantuar me ligj dhe patjetër që sidomos pas edhe kësaj që po e dëshmoni, patjetër që do të konsiderohet për dy vite shtesë dhe nuk do të ketë afat përfundimtar përderisa e vërejmë që po vazhdon aplikimi”, ka thënë Mullhaxha-Kollçaku
Personave që u është njohur statusi i viktimës së dhunës seksuale të luftës u ndahet pension në vlerë 230 euro në muaj.
Sipas ligjit të miratuar në vitin 2014, statusi u njihet personave që e provojnë me fakte para komisionit qeveritar se ishin viktimë e dhunës seksuale në periudhën 27 shkurt 1998 - 20 qershor 1999.