Në mbledhjen e jashtëzakonshme, të mbajtur të mërkurën, Kuvendi Komunal i Prishtinës nuk ka arritur ta miratojë buxhetin për vitin 2025, pasi dy partitë kryesore opozitare e lëshuan sallën. Asamblistë të opozitës arsyetuan vendimin duke thënë se nuk janë mbajtur dëgjime publike paraprakisht dhe se kjo e bën joligjor buxhetin e propozuar. E kryetari Përparim Rama theksoi se po bllokohen projektet e kryeqytetit për inate politike
Edhe pas kalimit të afatit për votim, me propozim të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, Kuvendi Komunal nuk arriti ta miratonte të mërkurën projektbuxhetin për vitin 2025.
Buxheti nuk kaloi pasi seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal është braktisur nga asamblistë të dy prej partive kryesore opozitare – Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Partisë Demokratike (PDK).
Përveç tyre, edhe një pjesë e asamblistëve të Lidhjes Demokratike (LDK) që qeveris kryeqytetin nuk ishin prezentë në sallë.
Leotrim Retkoceri, këshilltar komunal nga radhët e PDK-së, arsyetoi vendimin.
“Derisa nuk e respektoni ligjin për realizimin e dëgjimeve publike para sjelljes në Kuvend për votim, ne nuk kemi për çfarë të qëndrojmë në këtë sallë, kështu që ne tani e lëshojmë sallën”, ka thënë Retkoceri.
Opozita, e cila e vlerësoi joligjor miratimin e buxhetit, u inatos edhe me mënyrën se si kryetari Rama zgjodhi të përgjigjej pasi u përball me pyetjet e asamblistëve rreth projeksioneve buxhetore.
Rama kërkoi që buxheti të mos bllokohet për inate politike.
“Për shkak të kohës, unë rekomandoj që të gjitha pyetjet që keni t’jua kthejmë me e-mail”, ka thënë ai.
Këtu filluan fjalosjet mes tij edhe Gëzim Sveçlës nga radhët e LVV-së, i cili e akuzoi Ramën se nuk ka ide se çfarë ka në buxhet.
“Skandaloze është kjo çka po e thoni, kryetar! Ju po na kërkoni të votojmë diçka që nuk dini të ktheni përgjigje. Kjo paraqet stagnim. Asnjë rritje nuk ka te buxheti… Le ta dinë qytetarët e Prishtinës që ti nuk e di çka ka në atë buxhet”, ka thënë Sveçla.
Buxheti i propozuar për vitin 2025 për kryeqytetin është 128 milionë, 3 milionë më shumë sesa në vitin 2024.
Rama ka kërkuar bashkinvestim edhe nga niveli qendror, duke thënë se për investime kapitale këtë vit janë vetëm 48 milionë euro.