LAJMET E MBRËMJES

Dështon të nisë gjykimi ndaj ish-prokurorit të Prizrenit

Është shtyrë për herë të dytë në Gjykatën Themelore në Prishtinë shqyrtimi fillestar në rastin ku ish-prokurori i Prizrenit, Metush Biraj, akuzohet se është marrë vesh të merrte para prej dy të pandehurve që ai i akuzonte për trafikim me drogë. Rasti ka kaluar nga Prizreni në Gjilan e nga Gjilani në Prishtinë. E në këtë rast janë edhe dy të pandehur që akuzohen për dhënie ryshfeti

Pas kërkesës së mbrojtjes së të akuzuarve është shtyrë të mërkurën shqyrtimi fillestar në rastin ku ish-prokurori i Prizrenit, Metush Biraj, akuzohet për marrje ryshfeti. 

Në rastin ku edhe Shkodran Pulaj e Naim Osmani akuzohen për dhënie ryshfeti, mbrojtja e arsyetoi kërkesën për shtyrje duke thënë se nuk i kanë marrë provat prej prokurorisë. 

Mbrojtësi i Birajt, Reshat Millaku, i kërkoi gjykatës që fillimisht të pajiset me të gjitha provat në mënyrë që ta ketë afatin e plotë 30 ditorë për ta sfiduar aktakuzën. 

“Kërkojmë nga ju që kjo seancë të ndërpritet ose përndryshe të vërtetohet se këto shkresa që janë pjesë përbërëse e lëndës, në mënyrë që ta kemi afatin ligjor për kundërshtim të provave dhe për kërkesë për hedhjen e aktakuzës”, ka thënë Millaku.

Kërkesë të ngjashme bëri edhe mbrojtësi i Shkodran Pulajt, Rinard Pulaj e edhe mbrojtësi i Osmanit, Korab Bokshi.

Edhe prokurorja Shenaj Berisha tha se nuk ka dëshmi që të gjithë avokatët i kanë marrë të gjitha provat.

“Pa zvarritje i kemi përgatitur dhe do t’i pres avokatët të vijnë t’i marrin në zyrën e Prokurorisë Speciale. Unë kam pasur shënim që i kanë marrë, por nuk e kam pasur një listë të evidentuar që tregon me cilat shkresa janë pajisur avokatët dhe me cilat nuk janë pajisur”, ka thënë Berisha.

E kryetari i trupit gjykues, Lutfi Shala, vendosi ta shtyjë seancën, meqë proceduralisht pajisja e të pandehurve me shkresa është e domosdoshme para se ata të deklarohen se a i pranojnë apo jo akuzat e prokurorisë.

Sipas aktakuzës që tash e përfaqëson Prokuroria Speciale, në kohën sa ishte prokuror, Metush Biraj është marrë vesh me të pandehurit Pulaj dhe Osmani për t’i marrë ryshfet 20 mijë euro për të hequr dorë prej ndjekjes penale gjatë gjykimit të një rasti me tre të akuzuar (ku ishte i akuzuar Naim Osmani, Ukë Sadria dhe Arbër Salihu) për posedim të 130 kilogramëve të narkotikëve të llojit marihuanë.

Sipas aktakuzës, që u ngrit nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, kur u sekuestruan telefonat e Shkodran Pulajt dhe Osmanit, “Teknika Kriminalistike” e Policisë gjeti mesazhe mes prokurorit Biraj dhe dy të pandehurve të tjerë, të realizuara nëpërmjet “Viberit” dhe “Whatssappit”. 

Lëndën fillimisht ish-kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala, e ka larguar nga Prokuroria që e drejtonte për shkak të konfliktit të interesit. Më pas aktakuzën e ngriti Prokuroria e Gjilanit. 

E meqë gjykata e Gjilanit vlerësoi se natyra e lëndës i takon profilit të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe ajo nuk e pranoi, pas kontestimit të kësaj kompetence në Apel, ajo i kaloi Prishtinës. 

Gjykata e njoftoi Prokurorinë Speciale për vendimin e Apelin, por ajo mungoi në seancën e kaluar më 26 korrik. 

Aktakuza për këtë rast u ngrit më 4 mars 2024.