Ka përfunduar të hënën dëshminë ish-pjesëtari i UÇK-së, Demush Krasniqi. Në dëshminë e tij, ai ka mohuar se e ka parë Hashim Thaçin në ditën kur nga disa ushtarë janë marrë Cen Desku e Jakup Kastrati, derisa ka thënë se nuk ka informacione për takimet e Jakup Krasniqit në Dragobil. Krasniqi ka folur edhe se si në Kosovë fëmijëve u vihet ende emri i Hashim Thaçit
Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka vazhduar të hënën dëgjimi i dëshmitarit të radhës, të 89-tit me radhë.
Ish-ushtari i UÇK-së, Demush Krasniqi u është përgjigjur prokurorëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) duke mohuar se ka arrestuar Cen Deskun e Jakup Kastratin, siç është raportuar.
Krasniqi ka theksuar po ashtu se nuk e ka parë Hashim Thaçin në ditën kur nga disa ushtarë janë marrë Desku e Kastrati.
“Personat që dolën nga vetura ishin dy ushtarë, edhe neve na panë duke bisedu aty. Ishim unë, Skënder Hoti, Fehmiu dhe disa ushtarë. Na thanë kemi ardhë t’i marrim dy njerëz që janë në shtëpinë e OSBE-së këtu. Nuk e kemi ditë për kë është fjala. Nga ne shkoi Fehmiu se ishte me i ri, trokiti në derë dhe i thirri. Kur dolëm i pamë kush janë", ka thënë Krasniqi.
Pasi është pyetur nga mbrojtja e Jakup Krasniqit, dëshmitari ka thënë se nuk ka informacione nëse ai ka qenë në Dragobil në ditën kur janë arrestuar Jakup Kastrati e Cen Desku, por ka thënë se nga shokët ka dëgjuar se Krasniqi ka qëndruar në këtë fshat për takime.
"Ku të di unë në çfarë cilësie ka ardhë Jakup Krasniqi aty pasi unë nuk kam qëndruar rregullisht aty", ka shtuar ai.
Gjatë deklaratës së tij, Krasniqi ka lavdëruar ish-presidentin Hashim Thaçi, duke thënë se në shenjë respekti ndaj tij, fëmijëve në Kosovë u vihet emri i tij.
Përveç Thaçit, ai ka përshëndetur edhe ish-krerët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pasi një kërkesë të tillë, siç ka thënë, e ka marrë nga familjarët e miqtë e tij.
Kjo deklaratë nxiti disa pyetje nga prokurori, i cili ka insistuar të dijë se kush janë ata që i kanë çuar të fala krerëve të UÇK-së.
Në fund të seancës gjyqtari ka njoftuar se gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve do të vazhdojë të mërkurën me dy dëshmitarë të tjerë të ftuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.