LAJMET E MBRËMJES

Dëshmitari Ramadani tha se pa Millosavleviqin duke rrahur të burgosur

Dëshmitari i propozuar nga Prokuroria Speciale në rastin ku Gavrillo Millosavleviq akuzohet për krime lufte, ka deklaruar para Gjykatës Themelore në Prishtinë se e ka parë të akuzuarin duke e rrahur një të bashkëburgosur të tij. Millosavleviq akuzohet edhe për vrasje gjatë masakrës së Dubravës në maj të vitit 1999. E dëshmitari tha se nuk kishte gardian të burgut që nuk mori pjesë në këtë masakër

Agron Ramadani, i mbijetuari i masakrës së Dubravës, në të cilën forcat serbe vranë 109 civilë shqiptarë, ka dëshmuar në rastin ku Gavrillo Millosavleviq akuzohet për krime lufte.

Në këtë rast Millosvleviq akuzohet për pjesëmarrje në vrasje dhe në keqtrajtim të të burgosurve shqiptarë.

Dëshmitari Ramadani tha se, në burgun e Dubravës vuajti dënimin politik për terrorizëm bashkë me Shkëlzim Zllanogën të cilin tha se e keqtrajtoi i akuzuari. 

Bashkëvuajtës në tmerr tha se e pati edhe veprimtarin shqiptar Ukshin Hoti. Sipas dëshmitarit, i akuzuari e fajësoi Hotin për bombardimet e NATO-s mbi Jugosllavinë. 

“Fillimisht iu ka drejtu profesor Ukshin Hoti, me fjalët ‘shkaku juj na po bombardohemi’ dhe ‘ju jeni terrorista e na po ju majmë me bukë’, hajde ta këndoni tash të gjithë ‘kush thotë e kush gënjen që Serbia është e vogël’”, ka thënë ky dëshmitar.

Më pas sipas Ramadanit, i pandehuri i kërkoi Zllanogës ta këndonte një këngë që thotë se Serbia nuk është e vogël e që i glorifikon luftërat që i ka bërë Serbia.

“I tha të këndojë, por ai nuk këndoi. E kapi për fyti, s’e di sa sekonda ka zgjatë derisa Shkëlzimit më kujtohet se i dolën sytë jashtë”, ka theksuar dëshmitari Ramadani.

Dëshmitari Ramadani tha se Zllanoga vdiq më vonë në vitin 2000 në burgun e Nishit dhe se kishte dhimbje fyti gjatë gjithë kohës si pasojë e shtrëngimit që sipas tij ia bëri Millosavleviq.

Ai pohoi se pak ditë para 22 majit 1999, i akuzuari e detyroi ta këndonte këngën.

“Masi e lëshoi Shkëlzimin, atëherë Shkëlzimi ishte i detyruar të këndonte”, ka dëshmuar ramadani. 
Dëshmitari tha po ashtu se keqtrajtimet prej gardianëve ishin të rregullta dhe fillonin nga ora 10, kur parashihej gjumi i të burgosurve. 

Ai nuk tha se e ka parë të pandehurin më 22 maj 1999, kur të burgosurit u masakruan në fushën sportive të burgut. 

Megjithatë, sipas tij, nuk ka pasur gardian që nuk ka marrë pjesë në atë masakër.
Sipas aktakuzës, mbi 1000 të burgosur shqiptarë u urdhëruan të dilnin nga qelitë e tyre kur autoritetet e burgut u folën me altoparlant. 

E me t’u grumbulluar jashtë të burgosurit, u gjuajtën nga gardianët, forcat ushtarake, policët dhe civilët serbë me armë përfshirë kallashnikovë e edhe granata dore. 

Lidhur me Masakrën e Dubravës, një ndër më të mëdhatë e luftës në Kosovë nuk është dënuar asnjë person deri tash.

Në konferencën e mbajtur në fundin e vitit të kaluar Prokuroria Speciale njoftoi se i ka nën hetim 88 vetë në mungesë lidhur me këtë masakër.