LAJMET E MBRËMJES

Dëshmitari kishte shoqëruar një nga viktimat e Zllashit

Në Gjykatën Speciale në Hagë, të enjten dëshmuan dy dëshmitarë. Halim Berisha foli për raportet me Salih Mustafën dhe për qendrën e ndalimit në Zllash. Mustafa për krimet e pretenduara në këtë qendër është dënuar me 15 vjet burgim. E dëshmitari tjetër, i cili ishte i mbrojtur, u tha se do të dëshmojë për ndalim në Fabrikën e Metaleve në Kukës. Për krimet e pretenduara në këtë fabrikë, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet heqje lirie

Dëshmi në Gjykatën Speciale në Hagë, të enjten dha Halim Berisha, ish-ushtar i UÇK-së, i cili tha se ka shërbyer në kuadër të policisë ushtarake.

Ai dëshmoi në seancë të hapur në rastin ku për krime lufte po akuzohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Në prezantimin që ia bëri prokurori Filipo DeMinicis, tha se Halimi në pranverën e vitit 1999 e ka shoqëruar një person në një objekt në fshatin Zllash.

“Në prill të ’99-s dëshmitari, duke respektuar një urdhër, ka shoqëruar viktimën e një vrasjeje në një kompleks në Zllash. Dëshmitari e ka parë Salih Mustafën, i cili ka qenë duke qëndruar në një ballkon brenda kompleksit dhe ka shkëmbyer përshëndetjet dhe dëshmitari u largua. Drejt fundit të prillit të ’99-s, pas përfundimit të ofensivës serbe në zonën e Zllashit, dëshmitari ka mësuar që viktima e vrasjes kishte vdekur”, ka thënë prokurori DeMinicis.

Për krimet e kryera në Zllash, Salih Mustafa fillimisht u dënua me 26 vjet burgim, por së fundi dënimi iu ul në 15 vjet.

Dëshmitari është pyetur edhe për hyrjen e një pjese të Brigadës 153 në Prishtinë, më 8 qershor 1999. Berisha tha se në kryeqytet u futën për të mbrojtur popullsinë civile nga forcat serbe që ishin në tërheqje e sipër.

“A morët ndonjë direktivë për shembull si të mbronit edhe ndonjë civil serb që ishte atje?”, ka pyetur prokurori. “Nuk ka pasur dallim aty, as civilë serbë, as shqiptarë, as turq, as romë, as boshnjakë. Popullatën civile ta mbrojmë nga forcat serbe dhe paramilitarët”, është përgjigjur dëshmitari Halim Berisha.

Pas Berishës, dëshminë e filloi një dëshmitar i mbrojtur. Për të u tha se është mbajtur në Fabrikën e Metaleve në Kukës, pasi u arrestua nga pjesëtarët e UÇK-së.

“Në 1999 dëshmitari 04366 u arrestua nga disa anëtarë të UÇK-së dhe u dërgua tek Fabrika e Metalit në Kukës. Atje dëshmitari 04366 u keqtrajtua, u mor në pyetje dhe u mbajt në kushte çnjerëzore. Ai dëshmoi me sytë e tij keqtrajtimin e të ndaluarve të tjerë dhe mund të jap disa dëshmi sa i takon vdekjes së një personi”, ka thënë prokurori gjatë prezantimit të dëshmitarit të mbrojtur.

Për krime që prokuroria pretendon se janë kryer në Fabrikën e Metaleve në Kukës, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim nga shkalla e parë e Speciales në Hagë.