LAJMET E MBRËMJES

Dëshmitari: E kam parë Trajkoviqin kur rrahu një plak, deri në vdekje

Në gjykimin për krime lufte në Reznik të Vushtrrisë ndaj Slagjan Trajkoviqit, të martën ka dëshmuar banori i këtij fshati, Sylejman Mustafa. Ai ka treguar ta ketë parë disa herë Trajkoviqin të veshur me uniforma policore e ushtarake, teksa ka shtuar se ka qenë edhe dëshmitar i një vrasjeje, në të cilën ka marrë pjesë edhe i akuzuari Trajkoviq

Ngjarjet e prillit të 99-s, kur iu patën vrarë të dy prindërit dhe i janë masakruar shumë bashkëvendës, i ka rrëfyer të martën para Gjykatës Themelore në Prishtinë, Sylejman Mustafa nga Rezniku i Vushtrrisë në rastin gjyqësor ku për krime lufte ndaj popullsisë civile është i akuzuar Slagjan Trajkoviq. 

Dëshmitari Mustafa fillimisht e rrëfeu ngjarjen e vrasjes së nënës së tij nga forcat e uniformuara serbe.

“Ata kanë qenë afër nënës, as një metër larg, me kerr e përcillnin duke ecur, edhe nëna u ka thënë ec atyre Policisë, ata kanë qenë në uniforma ushtarake, për shkak se i ndërronin. Edhe nuk ka bërë një, dy dhe për dritare ia ka dhënë një plumb, Zoran Bigoviqi e kam njohur mirë”, ka dëshmuar ai.

Mustafa ka theksuar se në grupin e ushtarëve që ia vranë nënën, nuk ndodhej i akuzuari Trajkoviq. Por atë tha ta kishte parë me një grup ushtarësh në një shtëpi, që forcat serbe e patën shndërruar në një lloj baze në fshat.

“E kam parë kur ka shkuar në shtëpinë e Shaip Zenelit, po të afrohem s’kam guxuar. Sa kam pasur mundësi i kam shikuar nga afër, nëse jo i kam përdorur dylbitë, ja ku i kam”, ka dëshmuar Mustafa.

Ai ka theksuar se aty Trajkoviqin e ka parë shpesh, herë me uniformë policore e herë me atë ushtarake, dhe ka shtuar se ai ka mbajtur armë të tipit kallashnikov.

Mustafa ka dëshmuar edhe për rastin kur të akuzuarin Trajkoviq e pati parë tek e godiste një të moshuar, të cilin ka thënë se më vonë e ka gjetur të vdekur në një përrua.

“Edhe këta i shihja, kështu duke sjellë, e kishin zënë një plak të Sibocit, ai ka dashur të shkojë te çika në Kullë, kur u afrova, po e dëgjoj një piskamë, kuku nënë, dhe aty është një çezmë dhe u fsheha”, ka thënë ai.

Mustafa do t’u përgjigjet pyetjeve të mbrojtjes në një tjetër seancë, pasi avokatët thanë se nuk i kanë të gjitha shkresat e lëndës lidhur me dëshmitarin dhe nuk janë të përgatitur për ta marrë në pyetje.

Trajkoviq akuzohet për pjesëmarrje në masakrën e fshatit Reznik, ku figurojnë të vdekur 72 civilë shqiptarë.

Sipas aktakuzës, Trajkoviq ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretime, arrestime, tortura, trajtim në mënyrë ç‘njerëzore, mbajtje në kushte skllavërie, dëbimin dhe në depërtimin e mijërave civilëve shqiptarë.

Me këto veprime, Trajkoviq akuzohet se në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të panjohur të njësisë së Policisë serbe dhe personave tjerë të armatosur ka kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullatës civile”.