LAJMET E MBRËMJES

Dëshmitari Cana: E pashë Pleskoviqin duke m’i vrarë dajtë

Një dëshmitar ka deklaruar se e pa të akuzuarin për krime lufte Millosh Pleskoviq, duke shtënë në drejtim të tij dhe tre familjarëve të tij që u vranë në Prizren më 1998. E në Gjykatën Themelore në Prishtinë dëshmuan edhe tre dëshmitarë të tjerë të cilët e konfirmuan dëshminë e të mbijetuarit Xhenger Cana

Dëshmitari Xhenger Cana ka deklaruar se më 1 shtator 1998 në Prizren e ka parë të akuzuarin për krime lufte Millosh Pleskoviq, duke shtënë me armë zjarri në drejtim të të afërmve të tij Reshat Daçaj, Binak Daçaj dhe Fatmir Bojaxhiut.

Cana, gjatë dëshmisë në Gjykatën Themelore ku po gjykohet Pleskoviq, theksoi se e njihte të akuzuarin, meqë shpesh shkonte në Hoça Mahallë ku e kishte familjen e nënës. 

Cana tha se e pa drejtpërdrejt të pandehurin bashkë me shtatë pjesëtarë të forcave serbe. 

“Live e kam pa... Prezent kam qenë aty kur mi ka vra dajtë”, ka thënë ai.

Ky dëshmitar ka theksuar se nuk do të ishte gjallë nëse xhaxhai i tij, viktimë e vrasjes, Binak Daçaj nuk do ta shtynte tutje me bërryl për ta shmangur prej plumbave.

“S’kisha pshtu as unë. Kisha shku si ata”, ka thënë Cana në gjykatore.

E babai i tij, Fevzi Cana, dëshmoi pavarësisht gjendjes së rëndë shëndetësore, e tha se ka ikur poshtë malit bashkë me të birin.

Përshkrim të ngjashëm të ngjarjes bëri edhe dëshmitari Bashkim Kastrati.

“Ik babi se ushtria edhe policia serbe... Ik mor babi, ik edhe ikëm”, ka thënë Kastrati.

Ai theksoi se nuk ishte në pozicion të tillë prej ku mund t’i shihte forcat serbe e as të akuzuarin në mesin e tyre, mirëpo tha se i dëgjoi të shtënat. 

“Xhengeri e ka pa... Une s’kom. Xhengeri e ka pa qata. Ama armët e kemi ni që i kanë gjujtë’, ka thënë ky dëshmitar.

E, Ilir Bojaxhiu, vëllai i viktimës Fatmir Bojaxhiu, tha se dëshmitari Xhenger Cana e njoftoi atë herën e parë kur e pa se Pleskoviqi ishte pjesë e forcave serbe që ia vranë të vëllain. 

“Menjëherë më ka njoftuar. Atë ditë kur ka ndodhur”, ka thënë Bojaxhiu.

Ai ka theksuar tha se policia serbe nuk e lejoi ta shihte trupin e të vëllait, mirëpo të tjerët i kanë treguar se trupat e tre të vdekurve ishin masakruar. 

Sipas aktakuzës, vrasja e tri viktimave civile shqiptare ndodhi në mëngjesin e 1 shtatorit të 1998-s, në një kodër afër lagjes Hoça mahallë, ku këta burra shkuan të pritnin dru për ngrohje.