LAJMET E MBRËMJES

Dëshmitarët thonë se e njohin Dragisha Milenkoviqin, i akuzuar për krime lufte nga Burgu i Lipjanit

Dëshmitarët Isak Shabani dhe Muja Prekupi thanë se e njohin të akuzuarin për keqtrajtim si krime lufte, Dragisha Milenkoviq, nga koha sa ishin të burgosur në Lipjan. Shabani tha se ka dëgjuar nga të paktën dy të burgosur të tjerë se Milenkoviqi i ka rrahur. Ai pasi e ka parë të akuzuarin në gjykatore pati dyshime nëse ai ka mund të jetë njëri prej gardianëve që e ka rrahur bashkë me gardianin që e identifikoi si Bradiq

Dy dëshmitarë kanë deklaruar para Gjykatës Themelore në Prishtinë se e kanë njohur të akuzuarin për krime lufte, Dragisha Milenkoviq, nga Burgu i Lipjanit. Në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të ngritur me këtë rast, Milenkoviq, në bashkëkryerje me gardianë të tjerë, i ka keqtrajtuar dhe i ka torturuar në mënyrë mizore e çnjerëzore të burgosurit shqiptarë gjatë viteve ’98 dhe ’99 në Burgun e Prishtinës dhe atë të Lipjanit. Të hënën ka dëshmuar Isak Shabani, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së. Shabani tha se pasi e pa fytyrën e të pandehurit në gjykatë pati dyshime nëse ai e ka keqtrajtuar.

“Një herë më duket, por nuk mund ta them me saktësi nëse ka marrë pjesë në rrahjen time me Bradiqin”, tha dëshmitarin.  

Të pandehurin tha se e njeh nga Burgu i Lipjanit dhe ai i Prishtinës. U shpreh se dy të burgosurit, Agron Ramadani e Besim Rama, i thanë se personi me emrin Dragisha i ka rrahur. Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues se a e ka parë konkretisht të pandehurin duke keqtrajtuar persona të tjerë, dëshmitari u përgjigj se e i kujtohet që e ka parë disa herë.

“Me sa më kujtohet po, për shkak se ka ardhur disa herë në qeli për të më vizituar”, tha ai.

Sipas Shabanit i akuzuari i ka keqtrajtuar të burgosurit nga Rahoveci që po transferoheshin nga autobusi për në Burgun e Lipjanit.

Shabani tha se Milenkoviqi nuk ka ushtruar dhunë fizike ndaj tij, por se ai bashkë me gardianë të tjerë e keqtrajtuan duke mos e lënë të flinte.

“Sa i përket presionit psiqik po... Tash iu tregova kur qëndronim sigurisht tërë natën të matretuar dhe gjatë tërë ditës kur vinin, na i hapnin qelitë e burgut, na bërtitnin, na kërcënonin”, tha dëshmitari Shabani duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorisë.

Shabani përmendi momente të rënda dhe u rëndua emocionalisht kur tregoi për mënyrën se si gjashtë muaj i kishte kaluar me uri e kurrë pa u ngopur nëpër burgje, në Lipjan, Prishtinë, Dubravë, Nish e Mitrovicë të Sremit. 

Pas dëshmisë së deputetit Shabani ka dëshmuar Muja Prekupi, i cili sqaroi se si e ka parë të pandehurin. Avokati Dejan Vasiq, mbrojtës i të pandehurit Milenkoviq, e ballafaqoi dëshmitarin prekupi me një pjesë të deklaratës paraprake ku tha se nuk e ka parë të pandehurin.  

“Në deklaratën tuaj më 02.02.2023 në pyetjen, a e keni parë ndonjëherë apo a keni dëgjuar që këta dy gardianë Dragisha dhe Mile i kanë rrahur apo maltretuar ndonjë të burgosur, ju jeni përgjigjur “Jo. Unë personalisht nuk kam pasur mundësi ta shoh, por i kam dëgjuar britmat e dy të burgosurve derisa njëkohësisht e kam dëgjuar zërin e gardianit i cili i ka matretuar të burgosurit. A mund të na sqaroni dallimin mes kësaj që e thatë sot që e keni parë sot se e keni parë Dragishën duke maltretuar dhe deklaratës ku keni thënë se nuk e keni parë por keni dëgjuar?”, pyeti Vasiq. 
E Prekupi u përgjigj se atë pjesë e ka thënë për njërën periudhë sa ka qenë në burg. 
“Kur e kam thanë që nuk e kam parë, nuk e di për cilën kohë më kanë pyetur. Tash që thash e kam parë, ishte rasti konkret në Burgun e Lipjanit kur janë sjellë të burgosurit prej Rahovecit dhe kohëzgjatja e asaj që e kam parë unë ka qenë 10-15 sekonda se unë kam qenë i mbyllur dhe të maltretuarit kanë qenë në pjesë tjetër, nuk kam pasur mundësi ta shoh unë”, tha dëshmitari Prekupi.

U shpreh po ashtu se të gjithë gardianët serbë i rrihnin të burgosurit shqiptarë. Tha se nëse Milenkoviqi s’do të përdorte dhunë ndaj shqiptarëve të burgosur nuk do të mund të vazhdonte të ishte gardian për kohë të gjatë. 
“Por për ta përmbyllur a e kam parë a s’e kam parë, a ka bërë a s’ka bërë dhunë Dragisha, unë po ju them se asnjë gardian që ka qenë aty nuk ka pasur shanse që të rrijë indiferent dhe të mos e përdorë palicën (shkopin e policisë v.j) kundër të burgosurve aty se me siguri edhe nëse do të ishte serb edhe ai do ta pësonte se s’do ta kishin duruar”, tha Prekupi.

Dëshmitari Prekupi shtoi se nuk kërkon dëmshpërblim në raport me të pandehurin, sepse atë duhet t’ia japë Serbia për vuajtjet që ia ka shkaktuar me keqtrajtime të llojllojshme. Ai tha se nga Milenkoviqi asnjëherë nuk ka pësuar drejtpërsëdrejti, andaj nuk kërkon kompensim.

Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale vitin e kaluar, thuhet se Milenkoviq, ish-gardian i Burgut të Prishtinës dhe atij të Lipjanit, Lubomir Çimburoviq, drejtor i Burgut të Prishtinës, si dhe zyrtarët korrektues, Predrag Bradiq e Milivoje Iviq, kanë keqtrajtuar të burgosur shqiptarë nga 24 maji deri më 10 qershor 1999. Prokurori Atdhe Dema ka thënë se të dëmtuarit në këtë proces penal do të tregojnë për tortura që iu shkaktuan dhimbje të mëdha fizike e ankth.

“I kanë torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme, si shkopinj gome, shufra metalike, kabllo elektrike, gypa të ujit, shkelma e grushte deri në alivanosje, duke iu shkaktuar lëndime trupore, ashtu siç i shpjegojnë vetë viktimat se pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në të gjithë trupin, dhunë psikike ashtu që i kanë lënë pa ngrënë gati një javë, i kanë kanosur seriozisht për jetë e si pasojë e kësaj dhe rrahjeve të vazhdueshme kanë pësuar gjendje ankthi dhe frike”, ka thënë prokurori Dema.

Në seancën e shqyrtimit fillestar i pandehuri Milenkoviq, para trupit gjykues nuk i pranoi akuzat për krime lufte, por vetëm fajësinë për armëmbajtje pa leje.

“Për pikën e parë dhe të dytë jo (nuk e pranoj fajësinë), ndërsa për pikën e tretë për armëmbajtje po (e pranoj)”, ka thënë Dragisha Milenkoviq në seancën e 10 janarit. Ndaj drejtorit të burgut Lubomir Çimburoviq dhe ish-gadianëve Milivoje Iliq dhe Predrag Bradiq Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë në mungesë vitin e kaluar, mirëpo nuk është raportuar se është mbajtur as shqyrtimi fillestar lidhur me ta. Për keqtrajtim në burgun e Lipjanit gjatë luftës është dënuar Zoran Koliq nga EULEX-i në vitin 2012. Mbrojtja e tij më pas u ankua në të gjitha instancat e rregullta të gjyqësorit, si dhe në Gjykatën Kushtetuese, e cila e shpalli si të papranueshme ankesën e tij më 28 shtator 2015.