LAJMET E MBRËMJES

Deputetët dështojnë ta konstituojnë legjislaturën IX, s’u miratua Raporti për verifikimin e mandateve

Legjislatura e re nuk është konstituuar, në seancën e thirrur për këtë qëllim. Raporti për verifikimin e mandateve të deputetëve nuk ka kaluar për shkak të kundërshtive dhe abstenimit të shumicës së ligjvënësve. Kësisoj, seanca u ndërpre për të kërkuar interpretim te presidentja se si duhet vazhduar tutje.

Pas më shumë se 4 muajsh, salla e seancave plenare të Kuvendit mblodhi sërish deputetët, kësaj here ata të legjislaturës së 9-të. 

Mbi 30 nga ta, të rinj, për herë të parë.

Ashtu siç ndodhi rëndom në katër vjetët e kaluara, edhe në seancën më të rëndësishme të legjislaturës, deputetët u vonuan.

Me gati një orë vonesë në sallë u paraqitën ligjvënësit e partisë më të madhe, e krejt i fundit Fatmir Limaj me dy deputetët e partisë së tij.

Ndonëse ndarja e ulëseve të ligjvënësve është përcaktuar një javë më parë që të jetë kryesisht e njëjta me legjislaturën paraprake, tre deputetë nga radhët e komuniteteve, Duda Balje, Veton Berisha e Adem Hoxha, u ulën pas grupeve parlamentare të LDK-së dhe AAK-së. 

E deputeti serb Nenad Rashiq, u stacionua në ulëset e grupit multietnik dhe jo në ato afër Listës Serbe.

Kësisoj, në mungesë të vetëm një deputeti, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, i hapi punimet për konstituim të Kuvendit.

Por, seanca nuk shkoi gjatë dhe u ndërpre në pikën e parë të rendit të ditës. 

Deputetët e formuan një komision që do t’ua verifikonte mandatet.

Por, pak pas shqyrtimit të tyre, në një mbledhje jashtë seancës, grupet parlamentare u pozicionuan në qëndrime të kundërta.

PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kundërshtuan mandatet e anëtarëve të Qeverisë që deri atëherë thanë se nuk ia kishin prezantuar komisionit dorëheqjet nga pozitat e tyre.

“Nuk është shpërndarë dokumentacioni me kohë sa i përket aktit të dorëheqjes së kryeministrit dhe ministrave të cilët janë zgjedhur si deputetë, Për të siguruar siguri kushtetues, që nuk do të ketë shkelje të Kushtetutës ne kemi kërkuar dokumentacion shtesë, na është paraqitur një letër e dërguar nga kryeministri, letër që do të duhej të shpërndahej në ditën e certifikimit”, tha deputeti i LDK-së, Armend Zemaj. 

Këto dorëheqje kabineti qeveritar i ofroi pikërisht në ditën e seancës konstituive. 

Ligji për Qeverinë në nenin 26 parasheh që nëse anëtari i Qeverisë në detyrë zgjidhet deputet, ai duhet të japë dorëheqje nga kjo pozitë para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.
Por neni 29 i të njëjtit ligj, thekson se mandati i anëtarit të Qeverisë përfundon, nëse ai zgjidhet deputet ose edhe kur i përfundon mandati i rregullt Qeverisë.

Pas kthimit në seancë, kryesuesi i Komisionit, me gjithë kundërshtitë, i rekomandoi Kuvendit t’ua njohë mandatet.

“Komisioni mbështetur në dokumentacionin e KQZ-së për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve 2025 i rekomandon seancës të vazhdojë punimet sipas agjendës së paraparë”, tha deputeti i LVV-së, Artan Abrashi. 

Rekomandimi doli në votim por nuk u mbështet.

52 deputetë, përfshirë ata të Vetëvendosjes, disa të komuniteteve joshumicë dhe dy deputete te Nismës votuan për, 46 deputetë nga partitë deri tash në opozitë ishin kundër dhe 11 abstenuan, kryesisht të komunitetit serb. 

Meqë situatë si kjo nuk ka ngjarë më herët, kryesuesi i seancës e kërkoi edhe një konsultim me përfaqësuesit e partive politike.

Zgjidhje nuk u gjet.

Pas kësaj, Dehari kërkoi që çështjen ta çojë në një instancë tjetër për interpretim, në Presidencë.

“Për shkak të rrethanave të krijuara meqë raporti nuk mori votat e nevojshme do t’i dërgojmë një letër presidentes për konsultë të shihet si të vazhdohet tutje”, tha kryesuesi i seancës Avni Dehari. 

Seanca u ndërpre deri në një përgjigje të presidentes.

Pas verifikimit të mandateve, në rend dite seanca pati betimin e deputetëve e më pas zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve.

Rregullorja e Kuvendit parasheh që seanca konstituive nuk mund të ndërpritet më gjatë se 48 orë.