LAJMET E MBRËMJES

Deputetë të LDK-së e LVV-së akuzojnë njëri-tjetrin për vjedhje e keqpërdorime

Hykmete Bajrami, deputete e Lidhjes Demokratike (LDK), ka kritikuar Qeverinë për pazotësi dhe hajni. Akuzës së adresuar nga ajo i është kundërpërgjigjur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në pushtet, Halil Thaçi, i cili ia ka përmendur “çështjen e vjedhjes së miliona eurove gjatë udhëheqjes së saj me Ministrinë e Financave”. Këto pretendime, Bajrami i ka quajtur shpifje teksa ka paralajmëruar padi për shpifje kundër deputetit të LVV-së

Shprehja “shpifje” ka qenë kryefjalë në takimin e së martës midis deputetëve të Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike me auditoren e përgjithshme, Vlora Spanca.

Në mbledhjen, në të cilën është shqyrtuar Raporti vjetor i performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për vitin 2023, deputetë të partive opozitare janë përplasur me ata të pushtetit, duke shkëmbyer akuza për vjedhje e keqpërdorime. 

Hykmete Bajrami, deputete e Lidhjes Demokratike (LDK), ka kritikuar Qeverinë për pazotësi dhe hajni.

“Jeni në siklet, jeni tre vjet e gjysmë e përpos hajnisë nuk keni me tregu asgjë”, ka thënë ajo. 

Akuzës së adresuar nga ajo i është kundërpërgjigjur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në pushtet, Halil Thaçi, i cili ia ka përmendur “çështjen e vjedhjes së miliona eurove gjatë udhëheqjes së saj me Ministrinë e Financave”.

“Një hajneshë e dëshmuar që i ke vjedhë 2.1 milionë euro dhe kanë lulëzuar barnatoret e tua. Nëse është një ministër që është dëshmuar që është hajn, je veç ti. Veç ti je hajn. Ti je hajneshë, kryekëput hajneshë”, i ka thënë Thaçi deputetes Bajrami.

E ajo ka paralajmëruar se do të ngre padi për shpifje kundër deputetit të LVV-së, teksa i ka kërkuar atij që të mos flas pa pasur fakte.

“Nuk kam asnjë barnatore. Ti je shpifës. Ti je shpifës. Unë ty për shpifje do të padis në gjykatë. Unë Hykmete Bajrami, deputete e Kuvendit të Kosovës, nuk e kam vjedhur as edhe një cent. Drejtorin e thesarit ju e keni bërë guvernator.... hajnat janë në burg. Pyete guvernatorin e Bankës Qendrore që e ke votuar me 80 vota në Kuvend, ku janë? Pyete ore?... Kjo është shpifje dhe për këtë kemi për t’u përballur në Gjykatë. Me të vërtetë, ti nuk je njeri. Je shpifës, shpifës je. Shpifës. Publikoji kontratat ku janë nënshkrimet. Publikoi kontratat ku i kam nënshkrimet dhe mos shpif”, ka thënë Bajrami.

Përplasjet kanë vazhduar edhe për nivelin lokal. 

Hajdar Beqa, deputet i Partisë Demokratike (PDK), e ka akuzuar atë të LVV-së, Thaçi, se gjatë kandidaturës për kryetar të Komunës së Obiliqit ka premtuar punësime në KEK dhe ka bërë ndërhyrje në procesin e shpronësimeve.

“Në Obiliq, PDK-ja ka qenë stabile, ka mundur t’i ketë sfidat e veta, por aty të ka mundur një kandidat i pavarur, pa parti hiç. Të ka mundur ty edhe ke shkuar e i ke mashtruar me qindra familjarë, (duke u thënë) ju shti në punë në KEK te Ragipi edhe nuk ta ka jep votën për kryetar... Halil ti në Shipitullë shkon si përfaqësues i KEK-ut, ti në Shipitullë nuk shkon si deputet. Në Shipitullë shkon si përfaqësues i kompanisë së vlerësimit, në Shipitullë shkon për të bërë pagesa, mos të them si sekser”, ka thënë Beqa.

E deputeti Thaçi e ka akuzuar partinë e Beqës për nepotizëm.

“Pika e parë, këto krejt janë shpifje. Qytetarët e dinë se kush ka ndërtuar atje. Pse po nxehesh? Unë e ftoj Prokurorinë për çdo keqpërdorim që është bërë, edhe në fshatin Shipitullë. Ne e dimë bre zëvendësministrat juaj sa kanë ndërtuar atje. Edhe këto dy shtëpi të reja që po i di Hajdari, e ftoj prokurorin edhe ta marrë në intervistim Hajdarin, edhe t’i tregojë dëshmitë që i paska Hajdari. Kush i ka ndërtuar atje. Qe edhe Rashiti po deklarohet. Sido që të jetë fshati Shipitulë, unë ju kam treguar edhe qytetarëve, atje është zonë e ndaluar, nuk mund të ndërtohet. Këto janë shpifje. Unë e di që po të dhemb. E di Hajdar që po të dhemb ty se ua kam shkatërruar PDK-në”, ka thënë Thaçi.

Pas përplasjeve, raporti i Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2023 ka mbetur pa u votuar në mungesë kuorumi dhe çështja është bartur për mbledhjen e ardhshme. 

Gjatë shqyrtimit të këtij raporti është theksuar se më 2023 janë përcjellë në Prokurorinë e shtetit, 51 raste me elemente potenciale të veprave penale, mashtrime dhe korrupsion.