Me 8 vjet burgim është dënuar Çaslav Joliq, i akuzuar për krime lufte ndaj popullsisë civile shqiptare. Ish-policin e Serbisë, Gjykata Themelore në Prishtinë, të hënën, e ka gjetur fajtor për torturë, shkaktim të vuajtjeve e cenim të integritetit trupor e shëndetësor. Pala e akuzuar ka paralajmëruar ankesë në Apel
Ish-policin serb Çaslav Joliq, i akuzuar për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor të hënën dhe i ka shqiptuar dënim prej 8 vjetësh burgim, ku do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga qershori i vitit 2022.
Joliqin, Prokuroria e bën përgjegjës për torturim, shkaktim të vuajtjeve të mëdha e cenim të integritetit trupor e shëndetësor ndaj disa shqiptarëve të Komunës së Istogut. Ndër viktimat, sipas Prokurorisë, është edhe Nexhmedin Curri.
“Personi me pseudonimin Joliqi e kishte nxjerrë nga vetura të dëmtuarin duke e goditur me kondak të armës automatike dhe atë e ka tërhequr zvarrë duke e dërguar në një lokal aty afër dhe ka vazhduar dule e rrah derisa kanë ndërhyrë disa policë të tjerë”, tha kryetari i trupit gjykues, Musa Konxheli.
Curri, që ishte dëshmitar në këtë çështje, pas seancës tha se ndonëse nuk është i kënaqur me lartësinë e dënimit, mjafton që dikush po dënohet për atë që u ka ngjarë atij dhe shumë të tjerëve.
“Nuk është i mjaftueshëm por prapë u bë diçka. Drejtësia shkon në vend, kush ka kryer krime, dihet. Ne fqinj kemi qenë, është dashur t’i mendoj këto që vjen koha jo vetëm e tij por edhe koha ime. Të një katundi kemi qenë, të Kosovës kemi qenë, Serbi nuk mund të bëhet Kosova”, tha dëshmitari Curri.
E avokati i Joliqit, Miodrag Brkljaq, u shpreh se nuk ka pasur prova të mjaftueshme për ta dënuar klientin e tij. Paralajmëroi ankesë në Apel.
“Unë mendoj dhe jam i bindur se në këtë lëndë nuk ka prova bindëse që të nxirret përfundimi se Casalv Joliq ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. Ky aktgjykim jo vetëm që është i kundërligjshëm, por është në njëfarë mënyre ‘gjynah’, siç thotë populli”, tha Brkljaq.
Sipas aktgjykimit, palët e pakënaqura kanë 30 ditë kohë për të paraqitur ankesë.