Me 10 mijë euro gjobë është dënuar Dalibor Spasiq për dy vepra penale, ku bën pjesë edhe sulmi ndaj gazetarit Burim Zariqi në protestat e dhunshme në veri. Spasiq gjatë protestave të dhunshme të 29 majit të 2023-tës ka marrë pjesë në turmë të dhunshme në Zveçan dhe e ka sulmuar gazetarin, për çka edhe e ka pranuar fajësinë para gjykatës
Gjykata Themelore në Mitrovicë e dënoi të enjten me 10 mijë euro gjobë të akuzuarin Dalibor Spasiq për veprat penale “sulm” dhe “pjesëmarrje në turmë që kryen huliganizëm”.
Spasiq gjatë protestave të dhunshme të 29 majit të 2023-tës ka marrë pjesë në turmë të dhunshme në Zveçan dhe e ka sulmuar gazetarin Burim Zariqi më 31 maj 2023, për çka edhe e ka pranuar fajësinë para gjykatës.
Gjyqtarja Marigona Lajqi, gjatë shpalljes së aktgjykimit, tha se në shqiptimin e dënimit mori parasysh edhe rrethanat lehtësuese, siç është fakti se Spasiqi nuk është dënuar më herët. Por, ka përmendur edhe rrethanat rënduese.
“Rrethanë tjetër rënduese kjo gjykatë e ka vlerësuar edhe intensitetin e rrezikimit të jetës së të dëmtuarit dhe në rastin konkret përveçse ka pësuar i dëmtuari, i cili ka qenë duke raportuar për protestat e dhunshme në Zveçan, është sulmuar në mënyrë flagrante liria e medias dhe liria e shprehjes, vlera këto të mbrojtura me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë gjyqtarja Lajçi.
E, gazetari Zariqi deklaroi se ky aktgjykim dërgon mesazh për sulmuesit ndaj gazetarëve.
“Kjo përçon një sinjal për të gjithë ata që sulmojnë, për të gjithë ata që pretendojnë të sulmojnë se puna e gazetarëve nuk duhet të pengohet dhe se do të jetë një vendim i merituar ndaj tyre”, ka thënë ai.
Ai ka theksuar se puna e institucioneve duhet të vazhdojë intensivisht në mënyrë që të vendoset drejtësia edhe për rastet e tjera të sulmeve ndaj gazetarëve.
“Institucionet e drejtësisë, prokuroria dhe gjykata, t’i marrin me urgjencë rastet e sulmeve ndaj gazetarëve, por inkurajoj edhe të gjithë gazetarët që për çdo rast sulmi ndaj tyre ta ngrenë zërin dhe t’i ndjekin procedurat ligjore, sepse vetëm kështu e marrin dënimin apo atë që e meritojnë ata që i sulmuan”, ka thënë gazetari Zariqi.
Gjykata e referoi Zariqin për ta kërkuar dëmshpërblimin nga i pandehuri, në proces civil.
Ky është aktgjykimi i parë që konkretisht i referohet sulmit ndaj një gazetari gjatë protestave të dhunshme të serbëve në veri, që janë organizuar gjatë vitit 2023, e në të cilat përpos gazetarëve, u sulmuan edhe policë dhe pjesëtarë të KFOR-it.
Mbi 30 sulme ndaj gazetarëve janë shënuar në maj dhe qershor të vitit 2023.
Gazetarët u përballën me sulme me mjete shpërthyese si shokbombat e dhunë fizike.
Gjykata Themelore në Prishtinë i ka nxjerrë disa aktgjykime në të cilat janë dënuar të akuzuarit për pjesëmarrje në turmë që kryen huliganizëm, por aktakuzat e Prokurorisë Speciale nuk e kanë përfshirë konkretisht sulmin ndaj gazetarëve si pikë të veçantë.