LAJMET E MBRËMJES

Deklarohen të pafajshëm të akuzuarit për futjen e foshnjës së pajetë në lavatriçe

Dy vjet pasi një foshnjë që lindi e vdekur përfundoi në lavatriçe të spitalit të Pejës, kanë dalë para gjykatës një gjinekolog dhe një mami. Të dy akuzohen për “dëmtim kufome”, por nuk e pranuan fajësinë. E, familjarë të foshnjës thanë se autoritetet e Spitalit synuan ta fshehin rastin

Janë deklaruar të pafajshëm gjinekologu dhe mamia që akuzohen se foshnjën e pajetë e futën në lavatriçen e spitalit rajonal të Pejës në dhjetor të 2022-tës.

E thanë këtë të mërkurën, gjatë seancës në Gjykatën Themelore në Pejë, ku paraprakisht kërkuan t’u mbrohet identiteti.

“I pafajshëm”, është përgjigjur gjinekologu, në pyetjen e gjyqtarit mbi fajësinë.

Ngjashëm është përgjigjur edhe mamia e akuzuar.

“Dhe unë absolut nuk deklarohem e fajshme”, ka theksuar ajo.

Para deklarimit mbi fajësinë, prokurori Argzon Hasi ua ka lexuar aktakuzën. Sipas saj, të akuzuarit frytin e lindur të vdekur nuk e kanë vendosur në dhomë ku janë frigoriferët, por e kanë mbështjellë me çarçaf të bardhë, e më pas është hedhur në shportën ku bartën çarçafët e papastër për t’i dërguar në lavanderi. 

Ai ka folur për përgjegjësinë e secilit nga dy të akuzuarit.

“I pandehuri S. I., gjinekolog, duke mos iu përmbajtur parimeve etike dhe në mënyrë joprofesionale, në atë mënyrë nuk kujdeset që fryti i lindur i vdekur të vendoset në dhomë ku janë frigoriferët, të cilën përdoren për vendosjen e placentave, duke mos ushtruar mbikëqyrje të nevojshme te stafi”, ka thënë prokurori Hasi.

Ai ka folur edhe për përgjegjësinë e mamisë.

“E akuzuara E. A., si mami infermiere përgjegjëse e kujdestarisë, në atë mënyrë që frytin e lindur të vdekur me operacion nga pacientja me inicialet M. Z., nuk e vendos në dhomë ku janë frigoriferët, por pa autorizim fetusin, frytin e vdekur, e hedh duke e vendosur në hapësirë të papërshtatshme të repartit mbi frigorifer, të mbështjellë me çarçaf të bardhë, ku qëndron nga ora 19:15 deri në 07:00 të datës 14.12.2022, i cili më pas, pa dijeni, është marrë nga punëtorët teknikë, e që fetusin e mbështjellë e ka hedhur në shportën ku barten çarçafët e papastër për t’i dërguar në lavanderi”, ka theksuar prokurori Hasi.

E, Isa Avdija, gjysh i foshnjës së lindur të vdekur, tha se Spitali synoi ta fshehë rastin.

“I kam pritë një orë e kusur me ardhë (mjekët). Foshnja, pra kufoma, ka mbetë në tavolinë në qese, nuk është marrë kurrkush me të. Kur kanë ardhë policia, kanë thënë: ‘Mos i thirrni policinë se e rregullojmë’. Më kanë thënë: ‘Hajde në ora 12, e keni foshnjën e gatshme’. Qysh me shku në ora 12, kur ata nuk e kanë ditë ku është kufoma”, ka thënë Avdija.

Ndërkaq, Saranda Keqkolla-Sadiku, e cila është avokate e palës së dëmtuar, theksoi se rasti është neglizhuar nga organet e rendit.

“Nuk jemi të kënaqur nga ana e Prokurorisë së Shtetit, për faktin se prej kur ka ndodhur rasti deri më tani, është neglizhuar shumë rasti, edhe përkundër faktit që ka qenë një rast që i ka tronditur jo vetëm familjarët, por edhe opinionin”, ka thënë avokatja Keqkolla-Sadiku.

Rasti ka ndodhur në dhjetor të 2022-tës. Dy vjet më vonë, Prokuroria Themelore në Pejë ngriti aktakuzë ndaj gjinekologut dhe mamisë, për veprën penale “Dëmtim i kufomave”.