LAJMET E MBRËMJES

Dejanoviq dënohet me 8 muaj burgim e 10 mijë euro gjobë për sulmin ndaj KFOR-it në Zveçan

Dënimi ndaj Lazar Dejanoviqit, banor i Mitrovicës së Veriut, është shqiptuar të mërkurën pasi gjyqtari, Valon Kurtaj, ka konstatuar se marrëveshja për pranimin e fajësisë është e ligjshme ngase i pandehuri ka konfirmuar se këtë e ka bërë pa imponim

Lazar Dejanoviq, banor i Mitrovicës së Veriut, është dënuar të mërkurën me tetë muaj burgim dhe me 10 mijë euro gjobë për veprat penale “sulm ndaj personit zyrtar” dhe “pjesëmarrje në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizëm”, pasi ai ka arritur marrëveshje me Prokurorinë për pranimin e fajësisë lidhur me pjesëmarrjen në protestën e dhunshme të 29 majit të 2023-s në Zveçan.

Bazuar në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale, Dejanoviqi ka hedhur koktej molotovi në drejtim të pjesëtarëve të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës gjatë protestës së vjetme në të cilën qytetarë serbë u patën përleshur me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, duke i sulmuar dhe lënduar 90 prej tyre.

Prokurori special, Bekim Kodraliu, ka paraqitur propozimin për dënimin e tij në seancën e zhvilluar të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Për veprën penale ‘sulmi ndaj personit zyrtar’, e kryer në bashkëkryerje nga neni 402 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 2 dhe në 30 të Kodit Penal, t’i shqiptohet dënim me burg efektiv në kohëzgjatje prej tetë deri në dhjetë muajsh, ku në kuadër të këtij dënimi t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Ndërsa për veprën penale ‘pjesëmarrja në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizëm’, e kryer në bashkëkryerje nga neni 404, paragrafi 1, lidhur me nenin 39 të Kodit Penal, t’i shqiptohet dënimi me burg prej gjashtë muajsh me mundësi zëvendësimi me gjobë, me shumën prej 10.000 eurosh”, ka thënë Kodraliu. 

Lubomir Pantoviq, avokat i të pandehurit, ka kërkuar që për dënimin minimal të kihet parasysh fakti se klienti i tij ka fëmijë dhe mban familje. Ka theksuar po ashtu se Dejanoviqi gjatë protestës së dhunshme të serbëve në Zveçan nuk ka hedhur më shumë sesa dy-tri shishe koktej molotovi.

“Dy-tri shishe i ka gjuajtur në drejtim të tyre. Nuk ka qenë as udhëheqës, e as organizator”, ka theksuar tha Pantoviq. 

Dënimi i Dejanoviqit me tetë muaj burgim dhe me 10 mijë euro gjobë është shqiptuar pasi gjyqtari Valon Kurtaj, ka konstatuar se marrëveshja për pranimin e fajësisë është e ligjshme ngase i pandehuri ka konfirmuar se këtë e ka bërë pa imponim. 

“Jo, jo. Me vullnet të lirë është”, ka thënë Dejanoviq, kur është pyetur lidhur me pranimin e fajësisë. 
Organi i akuzës dhe mbrojtja kanë bërë të ditur se nuk do të paraqesin ankesë lidhur me shkallën e dënimit. Gjykata ka vendosur që për të pandehurin ta shpallë vendimin e formës së prerë menjëherë. Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale është përmendur edhe “fotoalbumi, ku qartazi shihet i pandehuri Dejanoviq duke ndërmarrë veprime inkriminuese, respektivisht pjesëmarrja në turmën e dhunshme, duke sulmuar me shishe molotovi pjesëtarët e KFOR-it italian dhe të Policisë së Kosovës”. 

Lazar Dejanoviq është në paraburgim që nga 19 qershori i sivjetmë. Ai e ka nënshkruar marrëveshjen për pranimin e fajësinë më 14 tetor, ndërsa aktakuza i është ngritur më 15 tetor. 

Krahas Dejanoviqit, deri më tash janë arrestuar edhe dhjetëra persona të tjerë për “pjesëmarrje në protesta të dhunshme” dhe për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, porse shumica kanë arritur marrëveshje me prokurorinë për pranimin e fajësisë. Dushan Obrenoviqit i janë shqiptuar 6 muaj burgim e Radosh Petroviqit masa i është zëvendësuar me gjobë prej 6 mijë eurosh. Është dënuar edhe Sllobodan Miletiq, të cilit Gjykata Themelore në Prishtinë, pas pranimit të fajësisë për “sulm ndaj personit zyrtar” dhe “pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi, ia shqiptoi dënimin me 9.500 euro gjobë dhe dy vjet burgim me kusht. Sivjet, Nenad Orloviq ka marrë dënim prej 15 muajsh burgim e 12 mijë euro gjobë. Në gushtin e shkuar, dy shtetasve të Serbisë - Sinisha Jevtiq e Ivan Sekuliq - u është shqiptuar dënim me gjobë, janë dëbuar nga Kosova dhe u është ndaluar hyrja për tre vjet. Ata u patën arrestuar më 31 maj në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, dy ditë pas protestës në Zveçan.

Dhuna në Zveçan pati shpërthyer pasi serbët lokalë e kundërshtuan me protestë hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin-Potok. Si pasojë e dhunës kanë mbetur të plagosur 93 pjesëtarë të KFOR-it, disa prej tyre rëndë.