Hedhje poshtë të aktakuzës për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit kanë kërkuar Dardan Krivaqa e Arbër Sejdiu.
Këtë e kanë konfirmuar në Gjykatën Themelore në Ferizaj të martën, duke thënë shkurt se avokatët mbrojtës e kanë bërë këtë kërkesë brenda afatit të caktuar, kërkesë rreth së cilës do të merret vendim pas shqyrtimit.
Një ditë më parë, janë bërë plot 1 vit që nga vrasja e Marigona Osmanit nga Komuna e Ferizajt, për të cilin rast deri më tash është mbajtur vetëm seanca fillestare ndaj dy të akuzuarve.
18-vjeçarja ishte lënë në ambientet e Spitalit të Ferizajt pa shenja jete, derisa të dyshuarit, Dardan Krivaqa e Arber Sejdiu kishin ikur.
Sejdiu ishte arrestuar i pari nga Policia e Kosovës, derisa disa ditë më vonë autoritet arritën ta vënë nën pranga edhe të dashurin e Marigonës, Dardan Krivaqa.
Në seancën fillestare asnjëri nuk kishte pranuar fajësinë.
Vrasja e Osmanit kishte nxitur reagimin e të gjithë krerëve institucionalë, teksa ishte bërë e ditur se dy të dyshuarit ishin kryerës të veprave të shumta penale, porse ishin në liri.
“Nuk do të ketë më ndërhyrje nga lart në drejtësi por këmbëngulje në kërkim të saj. Marrë shkas nga rasti i fundit kam kërkuar krijimin e grupit për hetimin e të kaluarës se kriminelëve të përfshirë në rast, si dhe nga Inspektorati i PK-së të fillojë inspektim mbi trajtimin e rasteve të dhunës në familje nga zyrtarët e Policisë në Kosovë”, kishte thënë ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla vitin e kaluar.
“Ne kemi themeluar grupin ndërministror dhe është funksional si asnjëherë më parë. Ne kemi nisur një fushatë për të raportuar dhunën në familje. Ne ishim edhe në protestë, kjo për të treguar se do të japim angazhimin tonë si Qeveri në adresimin e këtyre rasteve. Në si qeveri kërkojmë dënim maksimal për personat që kanë bërë këtë krim”, kishte thënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, po ashtu vitin e kaluar.
Me gjithë presionin publik e me protesta edhe nga organizatat e shoqërisë civile, asnjëherë asnjë zyrtarë publik nuk është vënë para përgjegjësisë për këtë rast.
Në 24 faqe është përshkruar dhuna në aktakuzën të cilën e posedon edhe KOHA, të cilën Prokuroria thotë se dy të pandehurit e ushtruan ndaj Osmanit më 21 gusht të vitit të kaluar në Ferizaj.
Prokuroria i akuzon ata për vrasje mizore të 18-vjeçares. Sipas aktakuzës, të pandehurit e kanë dhunuar seksualisht, deri sa viktima ka humbur vetëdijen.