LAJMET E MBRËMJES

Çohu: Qytetarët mendojnë se niveli i korrupsionit ka rënë krahasuar me vitet e shkuara

Ani se në një raport të marsit nga Departamenti amerikan i Shtetit është identifikuar si një ndër problemet më serioze në Kosovë, korrupsioni, bazuar në perceptimin e qytetarëve, është në rënie në krahasim me vitet e shkuara.

Kjo e dhënë është pjesë e raportit të publikuar të enjten nga organizata “Çohu” mbi vlerësimin e korrupsionit. Në këtë hulumtim kanë marrë pjesë mbi 1000 qytetarë nga shtatë rajone, duke i përfshirë 92.2 për qind respondentë shqiptarë dhe 7.8 për qind nga komunitetet e tjera që jetojnë në Kosovë.

Arton Demhasaj, hulumtues nga “Çohu”, ka thënë se perceptimi i qytetarëve për nivelin e korrupsionit është më i ulët se në vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Në vitin 2021 ka qenë diku afër 30 për qind, ka qenë perceptimi i qytetarëve për nivelin e korrupsionit. Ndërsa, në vitin 2023 ka një rënie që është nën 10 për qind e perceptimit të qytetarëve në nivel vendi për korrupsion. Dhe po ashtu, kjo tregon që Kosova qëndron më së miri sa i përket nivelit të perceptimit të korrupsionit në vend. Është në nivelin më të ulët nga të gjitha vendet e tjera”, ka thënë Demhasaj, gjatë prezantimit të raportit.

Të pyetur rreth deputetëve të Kuvendit, qytetarët e anketuar kanë shprehur mendimin se mbi 40 për qind e tyre janë të përfshirë në afera korruptive. E në pyetjen e njëjtë lidhur me ministrat qeveritarë, përqindja e përgjigjeve për përfshirjen e tyre në afera korruptive ka rezultuar më e madhe.

“Nëse flasim për shumicën e ministrave, përqindja shkon në 40.1 për qind, që kur t’i grumbullojmë këto del që rreth 65 për qind e qytetarëve të Kosovës mendojnë që ministrat janë të korruptuar”, ka shtuar Demhasaj.

Në pyetjen nëse po të ishin në një pozitë zyrtare e më pagesë të ulët dhe dikush u ofron para për të zgjedhur problemin e tij, mbi dy për qind e të anketuarve kanë thënë se këtë pagesë do ta pranonin.

“2.2 për qind e qytetarëve deklarojnë që në raste se ata kishin qenë zyrtarë publikë në institucione publike kishin pranuar që të korruptohen. 7.5 për qind kanë thënë se në një mënyrë do të kishin pranuar. Prapëseprapë, kjo statistikë flet shumë, sepse rreth 10 për qind e qytetarëve janë vetëdeklaruar se janë të gatshëm që të korruptohen po qe se do të kishin qenë pjesë e funksioneve publike”, ka theksuar ai.

Për korrupsionin në sistemin e drejtësisë, mbi 50 për qind e qytetarëve janë përgjigjur se ka afera korruptuese. Për gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët përqindja, sipas hulumtimit, ka shkuar deri në 60 për qind, ndërsa për policët hetues është shënuar rënie në përqindje.