LAJMET E MBRËMJES

Burri, që gjykata refuzoi ta paraburgoste, dyshohet se plagosi bashkëshorten

Dy ditë më parë gjykata refuzoi kërkesën e Prokurorisë që ndaj Idriz Alijajt të vendoset masa e paraburgimit, pas aktakuzës për dhunë në familje. Gjykata nuk e aprovoi kërkesën e Alija të martën dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të bashkëshortes, e cila po merr trajtim në QKUK. Ministrja Haxhiu fajësoi institucionet e drejtësisë për stimulim të rasteve të dhunës dhe të vrasjeve

Një grua 42-vjeçare është plagosur të martën në mëngjes me armë zjarri nga i dyshuari, bashkëshorti i saj Idriz Alija, i cili është arrestuar më pas, nën dyshimin për veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”.

Ngjarja ka ndodhur te tregu në Bresje të Fushë-Kosovës. 

Sipas informatave që ka siguruar KOHA, gruaja u qëllua në kokë, bark e krahë.

Mjeku kujdestar në Klinikën Emergjente në QKUK, Ejup Govori, ka thënë se gjendja e 42-vjeçares është stabile.

“Gjendja për momentin është stabile, megjithëse lëndimet janë të rënda. Lëndimet janë me armë zjarri, janë në dy ekstremitete, në gjoks dhe në regjionin e abdomenit. Është në ekzaminim e sipër, në trajtim e sipër në Emergjencë”, ka deklaruar ai.

I dyshuari ndodhej në liri, ndonëse ditë më parë është raportuar për “dhunë në familje”. 

Prokuroria nuk ka treguar motivin që e ka shtyrë Aliajn të gjuante me armë zjarri në drejtim të bashkëshortes, por ka bërë të ditur se dy ditë më parë ka kërkuar nga gjykata masë paraburgimi e që nuk është miratuar.

“Më datë 4.8.2024, Prokurori i Shtetit ka ngritur aktakuzë me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit I.A. Gjykata ka refuzuar propozimin e Prokurorit të Shtetit për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, ashtu që ndaj të pandehurit I.A. është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Autoritetet kanë dështuar ta mbikëqyrin zbatimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të dyshuarit Alija, i cili të martën ka dalë në treg, ku ka tentuar ta vriste bashkëshorten.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, fajësoi autoritetet e drejtësisë duke thënë se me vendimet e tyre po stimulojnë rastet e dhunës dhe të vrasjeve.

“Në vazhdimësi kemi theksuar se rastet e tilla të dhunës ekstreme po dalin të jenë recidivistët dhe tashmë të denoncuar apo të arrestuar për dhunë më herët. Kësisoj është e pafalshme neglizhenca dhe mosdënimi adekuat i këtyre rasteve, që jo vetëm nuk po e parandalojnë më të keqen, por po shndërrohen në stimulues të dhunës e vrasjeve”, ka thënë Haxhiu.

E Rrjeti i Grave të Kosovës fajësoi institucionet për rastin. Në një reagim theksohet se vonesa në pajisjen me byzylykë elektronikë që do t’u vendoseshin personave në arrest shtëpiak ka çuar në dështim të mbrojtjes së viktimave të dhunës. 

Sipas raportit të Policisë, nga viti 2010 deri në prill të vitit 2024, në Kosovë janë vrarë 57 gra.

Të mërkurën Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist do të mbajë aksion simbolik pranë Stacionit Policor në Prishtinë, si kundërpërgjigje ndaj tentativë vrasjes së gruas në Fushë-Kosovë nga bashkëshorti i saj.