Ka vazhduar dëshminë e tij në Hagë, për të tretën ditë me radhë, ish-komandanti i UÇK-së, Shukri Buja. Ai tha se në muajt prill e maj të vitit 1998, radhët e UÇK-së u vërshuan me vullnetarë, por, sipas tij, nuk pati përgatitje profesionale të duhur e as materiale për t’i furnizuar ata që lajmëroheshin në UÇK
Shukri Buja, ish-komandant i Zonës Operative të Nerodimes, tha të mërkurën se deri në qershor të vitit 1998 nuk e ka ditur as kush janë anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së e as ku ndodhej selia e shtabit.
Në ditën e tretë të dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara në Hagë, Buja u pyet për organizimin e brendshëm në zonën që e drejtonte dhe komunikimet me Shtabin e Përgjithshëm, anëtarët e të cilit: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po gjykohen.
“Realisht deri në, sidomos muajin maj (v.j. 1998), qershor, ka qenë bukur i vështirë, sepse as nuk e kisha idenë unë, as të tjerët me të cilët bashkëpunoja se si do të dukej në këtë gjendje Ushtria Çlirimtare e Kosovës, apo njësitet e saj. Ne nuk kishim as përgatitjen profesionale të duhur, as materialet e duhura për t’i furnizuar ata që vinin për t’u lajmëruar në UÇK. Ne prisnim për ndonjë udhëzim, por në fakt nuk kishte as udhëzim, sepse nuk e njihnim e as nuk e dinim se kush ishte Shtabi i Përgjithshëm. Kjo gjendje ka vazhduar deri kah mesi i qershorit kur ka dalë publikisht zëdhënësi i UÇK, zotëri Jakup Krasniqi”, ka thënë Muja.
Ai tha se në muajt prill e maj të 1998-s, radhët e UÇK-së u vërshuan me vullnetarë dhe se u krijuan edhe njësi nga popullata civile. E, sipas tij, në këto kushte komunikimi mes njësive ishte i vështirë.
“Në realitet në atë kohë nëse kanë dëgjuar krisma në Grykë të Caralevës, e njësiti ka qenë në Grykë të Llapushnikut, ku nuk ka pasur luftime, ne e kemi parë që na kanë ardhur në ndihmë nga Llapushniku, njësiti në Grykë të Caralevës, apo e kundërta”, ka theksuar ai.
Për organizimin e brendshëm brenda zonës Buja tha se shërbeheshin me një dokument që ua pati dorëzuar Adem Demaçi.
“Ka qenë dokument publik për komandën e brigadës, për zyrën ligjore pranë komandës së zonës, pra që ta zbatojë. Ka qenë një rregullore e cila me sa më kujtohet ka qenë e përshtatur nga Ushtria e Shqipërisë për rregullat e brendshme të ushtrisë”, ka thënë Buja.
I pyetur nga prokurori James Pace se si e trajtonin një situatë kur ndonjë ushtar bënte sjellje joadekuate ndaj civilëve, Buja theksoi se UÇK-së i mungonin mekanizma hetues dhe gjykues për të vërtetuar ose mohuar pretendimet.