Përparim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka kërkuar ministri për Punë të Jashtme, i Çështjeve Evropiane dhe Tregtisë së Maltës, Ian Borg, njëherësh kryesues i OSBE-së, i cili të enjten ka qëndruar për vizitë në Kosovë. Në një konferencë shtypi në Prishtinë, ai ka folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. E, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në institucionet euroatlantike është triumf për demokracinë. Kryesuesi i OSBE-së gjatë ditës është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti dhe me ministren e Jashtme, Donika Gërvalla
Ian Borg, kryesues i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) e njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane dhe Tregtisë i Maltës, ka kërkuar të enjten nga vizita në Prishtinë përparim në procesin e dialogut midis Kosovës e Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).
Pasi i ka takuar udhëheqësit kryesorë shtetërorë, Borg në një konferencë shtypi ka kërkuar që të zbatohet në tërësi marrëveshja e Brukselit si dhe aneksi i zbatimit të saj, i dakorduar në Ohër.
“Diskutuam për potencialin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit të lehtësuar nga BE-ja, kontributin në sigurinë dhe stabilitetin në gjithë rajonit. Përkushtimi në dialog dhe vazhdimi i zbatimit të marrëveshjeve të arritura është krucial për të arritur progres. OSBE-ja është e gatshme që të përkrahë përpjekjet e të arriturat. Kishim po ashtu edhe një bisedë shumë të rëndësishme në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve. Ky mbetet çelës në forcimin e raporteve mes komuniteteve”, ka deklaruar Borg.
I pyetur nëse Serbia po bën shkelje të Marrëveshjes së Brukselit me anë të kundërshtimit të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës (KiE), Borg ka refuzuar që të komentojë duke theksuar se “nuk mund të gjykojë”.
“Nuk jam këtu për të gjykuar kush është duke e respektuar apo jo marrëveshjen. Këshilli i Evropës ka rregulla e veta dhe kur të vijë aplikimi, që është javën e ardhshme në Asamble e më pas në maj në Këshillin e Ministrave në mënyrë demokratike Këshilli merr vendim. Secili vend anëtar do të votojë në bazë të qëndrimeve të tyre”, është përgjigjur ai.
E presidentja Vjosa Osmani në takimin që ka zhvilluar me kryesuesin e OSBE-së, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në institucionet euroatlantike do të ishte triumf për demokracinë. Nëpërmjet një komunikate shtypi të lëshuar nga Presidenca, Osmani ka theksuar se Kosova vazhdon të jetë në ballë të progresit në rajon për sa i përket forcimit të sundimit të ligjit.
“Në takim është diskutuar edhe për raportet bilaterale midis Kosovës dhe Maltës, anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe për zhvillimet e fundit politike në rajon. Në diskutim me ministrin Borg, Presidentja ka thënë se Kosova vazhdon të jetë në ballë të progresit në rajon dhe më gjerë sa i përket forcimit të sundimit të ligjit dhe demokracisë si dhe promovimit të të drejtave të njeriut”, është thënë në komunikatën për media të Presidencës.
Gjatë ditës Ian Borg është pritur edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë (MPJD), Donika Gërvalla.
Në takimin me ministren Gërvalla është diskutuar për sundim të ligjit, liri të mediave, avancim të të drejtave të komuniteteve joshumicë dhe për sigurinë në Kosovë dhe rajon.
Siç thuhet në komunikatën e MPJD-së, të dy ministrat kanë folur edhe për procesin e Berlinit, zbatimin e marrëveshjeve dhe hapat përshpejtues të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Në takimet e kryesuesit të OSBE-së me zyrtarët shtetërorë të Kosovës mediat janë lejuar të marrin vetëm pamje.