Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë, Lamir Thaçi, ka thënë se janë ndërmarrë veprime shtesë për të hequr dyshimet për mishin e pulës me origjinë nga Brazili, pasi në Shqipëri u gjetën tetë tonë mish i kontaminuar me salmonelë. Thaçi thotë se AUV-i ka realizuar kontrolle shtesë në import dhe në pika shitjeje, duke marrë mostra për testim. Sasitë e dyshuara janë tërhequr dhe bllokuar deri në daljen e rezultateve
Pas gjetjes së tetë tonëve mish të kontaminuar me salmonelë në Shqipëri, me origjinë nga Brazili, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndërmarrë veprime për të larguar dyshimet për këtë lloj mishi të pulës.
Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, ka thënë për Ekonomia Online se janë realizuar kontrolle shtesë në import dhe në pikat e shitjes duke marrë mostra për testim.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, përmes trupave inspektuese, ka ndërmarrë të gjitha veprimet ekzekutive për të hequr dyshimet për mishin me origjinë nga Brazili. Pas lëshimit të urdhëresës për kontrolle shtesë, në import kanë ardhur 7 ngarkesa. Nga secila ngarkesë është marrë nga një mostër, ku sipas procedurës, ngarkesat mund të bllokohen deri në daljen e rezultateve. Po ashtu, në kontrollin e brendshëm janë realizuar dy kontrolle në pika shitjeje, nga të cilat janë marrë dy mostra nga lote të ndryshme prodhimi”, ka thënë Thaçi.
Sasitë për të cilat janë duke u kryer testime mikrobiologjike, Thaçi thotë se janë tërhequr dhe bllokuar deri në daljen e rezultateve, si dhe janë ndërmarrë edhe veprime të tjera.
“Është inspektuar edhe depoja e operatorit ekonomik importues, ku përveç masës së ndalimit të përkohshëm të nxjerrjes në treg të produktit në stok, është marrë një mostër për testim. Të gjitha mostrat janë mbledhur nga pikat kufitare dhe kontrolli i brendshëm. Ato janë në laborator dhe ka nisur procesi i testimit”, ka thënë zëdhënësi i AUV-it. “Për kohën e nxjerrjes së rezultateve, nuk mund të japim afat ose datë tani. Gjithçka varet nga dinamika e procesit të testimit nga laboratori. Në momentin e parë të nxjerrjes së rezultateve, do ta informojmë publikun me gjetjet”.
Thaçi ka njoftuar se rezultatet e testimeve priten në ditët vijuese.
Një javë më parë, në Shqipëri janë gjetur 8 tonë mish të kontaminuar me origjinë nga Brazili.
Mishi i pulës i kontaminuar me salmonelë përbën kërcënim për shëndetin, pasi infeksioni i salmonelës mund të shkaktojë ethe dhe dehidrim.
Mjekët kanë thënë se këto simptoma shfaqen 8 deri në 72 orë pas konsumimit të mishit të infektuar.