Vendimi i cili obligon ndërmarrjet me mbi 50 punëtorë ose 10 milionë euro qarkullim në vit që nga 1 qershori të dalin në treg të hapur po kundërshtohet nga përfaqësuesit e bizneseve. Ani se një vendim i tillë daton që nga 2017-a dhe është shtyrë disa herë, sipas bizneseve, duhet ende kohë për t’u përgatitur dhe se si i tillë do të ndikojë në rritjen të kostove të produkteve, gjë që do të pësojë në fund konsumatori
Mbi 1 mijë biznese nga 1 qershori duhet t’i zgjedhin vetë furnizuesit për energji elektrike. Por kalimi në furnizim me çmime të parregulluara, të cilat i përcakton tregu, po kundërshtohet nga bizneset. Ato kanë kërkuar që të ketë sërish shtyrje, ani se një vendim i tillë është shtyrë që nga viti 2017.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, të hënën, pas një takimi me bizneset dhe përfaqësuesit e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, tha se një vendim i tillë do të ndikojë në rritje të kostove, në veçanti te sektori i prodhimit.
“Dalja në treg parashihet që të ketë edhe rritje të çmimit të energjisë elektrike, ku do të ketë efekt zinxhiror tek prodhuesi, do ta rrisë koston e prodhimit ose produktit, e cila më pas do t’i bartet konsumatorit dhe produkti ynë brenda tregut të Kosovës nuk do të jetë konkurrent me produktin e importuar, siç ka qenë deri më tani, por do të jetë më i shtrenjtë sesa produkti i importuar. Mos të flasim se edhe në tregun e huaj do të humbë mundësinë që të jetë prezent, për arsye se janë kontratat e lidhura shumë më herët me çmime të caktuara dhe në momentin që ngrihet çmimi ekziston frika dhe paralajmërimi që nuk do të blihet më në tregun e huaj produkti i Kosovës”, ka deklaruar Rafuna.
Me kërkesë të ZRRE-së kompanitë që kanë mbi 50 punëtorë ose 10 milionë euro qarkullim në vit duhet të dalin në treg të hapur të energjisë. Kjo nënkupton se çmimet do të përcaktohen varësisht nga lëvizjet në bursat e energjisë.
Sipas ZRRE-së, konsumatorët që dalin në tregun e liberalizuar të energjisë mund të furnizohen nga çdo kompani vendore që posedon licencë ose nga kompani të huaja.
KESCO është furnizuesi kryesor i licencuar për energji elektrike në Kosovë. Përveç kësaj kompanie, janë të licencuara edhe 18 të tjera.
E kryetari i OEK-ut u shpreh se nëse nuk shtyhet implementimi i vendimit të ZRRE-së, do të vështirësohet edhe tërheqja e investimeve të huaja.
“Në qoftë se është më i shtrenjtë dhe na del më shtrenjtë se i rajonit, do të kemi vështirësi t’i sjellim investitorët e huaj. Nuk jemi kundër vendimit, as të mos dalim në tregun e hapur, por është një periudhë e shkurtër, nuk është momenti, nuk ka as dialog publiko-privat një kohë më të gjatë, në mënyrë që biznesi të përgatitet. Dhe kërkesa tjetër që vjen për partitë politike është që sa më shpejt t’i kemi të themeluara institucionet e vendit, në mënyrë që të kemi mundësi të adresojmë”, ka thënë Rafuna.
Sipas të dhënave të ATK-së, 748 biznese kanë mbi 50 punëtorë, ndërsa 318 kanë qarkullim mbi 10 milionë euro.
Nga KESCO kanë thënë se konsumatorët joshtëpiakë duhet që deri më 21 mars të dëshmojnë që i plotësojnë kriteret për të vazhduar furnizimin nga kjo kompani me çmime të rregulluara nga ZRRE-ja.