LAJMET E MBRËMJES

Bislimi e Petkoviq takohen të martën, BE-ja pret zbatim të marrëveshjeve pa vonesa e parakushte

Diskutimet që nuk u zhvilluan javën e shkuar nga liderët, në nivel të kryenegociatorëve pritet të bëhen të martën.

Në Bruksel do të takohen zv.kryeministri Besnik Bislimi e shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Prej të dyja palëve, nga Bashkimi Evropian presin zbatimin e detyrimeve të dialogut pa vonesa e pa parakushte.

 “Si pjesë e diskutimeve, palët do të diskutojnë rrugën përpara për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si dhe zbatimin e marrëveshjeve të tjera të dialogut. Siç e kemi thënë shumë herë më parë, të dyja palët pritet të zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre përkatëse të dialogut pa ndonjë vonesë apo parakushte”, ka deklaruar Peter Stano, zëdhënës i BE-së.

Klisman Kadiu, këshilltar i zv.kryeministrit Bislimi, ka thënë për KOHËN se Kosova mbetet konstruktive në një proces, i cili është pasuar me bllokada dhe refuzime të shpeshta nga pala tjetër.

 “Tema të diskutimit pritet të jenë ecuria e dialogut, zbatimi i Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit, si dhe vlerësimi i marrëveshjeve të tjera teknike dhe masa e zbatimit të tyre. Kosova mbetet konstruktive dhe e angazhuar pozitivisht në një proces, i cili përkundër vullnetit tonë është pasuar me bllokada dhe refuzime të shpeshta nga pala tjetër. Marrëveshjet duhet të zbatohen në plotni e qasja të jetë e barabartë për të dyja palët”, është shprehur Kadiu.

Të mërkurën e javës së shkuar Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar takim të nivelit të lartë, pas kushtëzimit të kryeministrit Albin Kurti të takimit me presidentin Aleksandër Vuçiq.

Analisti Fidan Ukaj është skeptik edhe për takimi mes kryenegociatorëve.

 “Mendoj se edhe takimi i nesërm do ta ketë fatin e njëjtë siç ishte takimi i nivelit të lartë që ishte një dështim i kësaj përpjekje të faktorit ndërkombëtar për t`i përafruar palët e po ashtu dhe me i shty që me i zbatu dakordimet e mëhershme të Brukselit dhe Ohrit”, u shpreh Ukaj.

Përpos dorëzimit të përgjegjësit të sulmit të Banjskës, Milan Radoiçiq, dhe përgjegjësve të tjerë, kryeministri Albin Kurti kushtëzoi takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, edhe me nënshkrimin e marrëveshjeve, dhe me tërheqjen e letrës së ish-kryeministres serbe Ana Bërnabiq, me të cilën Serbia deklarohet se nuk do t’i zbatojë disa pika të marrëveshjes bazë.