LAJMET E MBRËMJES

BE: Serbia ka shkelur marrëveshjen duke lobuar kundër Kosovës

“Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit është valide dhe obliguese në tërësinë e saj për të dyja palët, si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë. Kjo përfshin edhe nenin 4 dhe lobimi i Serbisë kundër Kosovës është shkelje e qartë e kësaj marrëveshjeje”, ka thënë zëdhënësi Peter Stano

Deklarata e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Beograd, Christopher Hill, se anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian nuk do të kushtëzohet me njohjen e Kosovës, nuk është komentuar në Bruksel. 

Por nga disa diplomatë të vendeve anëtare është dëgjuar se nuk i takon një ambasadori amerikan të flasë për një gjë të tillë, pasi që kjo është çështje që u takon vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Sa i përket BE-së, zëdhënësi i saj për Çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, nuk është shprehur qartë rreth kësaj, por vetëm ka përsëritur se qëndrimi i BE-së për këtë është i pandryshuar.

“Qëndrimi i Bashkimit Evropian rreth kësaj çështjeje nuk ka ndryshuar dhe mbetet i njëjti ashtu siç u është shprehur palëve në të kaluarën dhe siç është cekur edhe në kriteret e anëtarësimit”, është krejt çka ka thënë Stano, pasi është pyetur rreth deklaratës së ambasadorit amerikan.

Ambasadori Hill shprehu bindjen se njohja formale e Kosovës nuk do të jetë kusht për hyrjen e Serbisë në BE, por normalizimi i marrëdhënieve fqinjësore me të.

“Mendoj se ata e kanë thënë shumë qartë se ka vende anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën, kështu që çështja, e rëndësishme, është të përpiqemi të arrijmë normalizimin ku ata kufij nuk do të jenë kufij që ndajnë, por kufij që bashkojnë, kufij që i bashkojnë ata realisht”, ka thënë Hill në një intervistë për edicionin e 13 qershorit të së përjavshmes beogradase “NIN”.

Aneksi i zbatimit të Marrëveshjes Bazë specifikon se të gjitha nenet e Marrëveshjes duhet të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri, dhe se Kosova dhe Serbia nuk do ta bllokojnë zbatimin e asnjë neni dhe se mosrespektimi i detyrimeve mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre të anëtarësimit në BE dhe ndihmën financiare që marrin nga BE-ja.

Bashkimi Evropian disa herë është shprehur se çështja e njohjes së shtetësisë së Kosovës është kompetencë e vendeve anëtare të BE-së dhe jo e institucioneve të përbashkëta të BE-së. Por, për shkak të pesë vendeve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën deri më tash, BE-ja mban një qëndrim neutral ndaj statusit. Megjithatë, BE-ja ka raporte kontraktuale me Kosovën, sidomos përmes Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Po ashtu është thënë disa herë nga diplomatë të Bashkimit Evropianë dhe është përsëritur edhe të enjten se pa normalizim të plotë të raporteve me Kosovën, Serbia nuk mund të përparojë në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE.

Kjo është bërë formale edhe përmes ndryshimeve në Kapitullin e 35-të të Kornizës Negociuese të Serbisë për anëtarësim në BE, e cila tash përfshin edhe obligimin për zbatimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel për rrugën drejt normalizimit të raporteve, por edhe të Aneksit të Ohrit për implementimin e saj.

I pyetur se a do të thotë kjo se Serbia është duke e shkelur këtë marrëveshje, pasi që Serbia po bën lobim kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, zëdhënësit i BE-së, Peter Stano, ka konfirmuar se është ashtu.

“Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit është valide dhe obliguese në tërësinë e saj për të dyja palët, si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë. Kjo përfshin edhe nenin 4 dhe lobimi i Serbisë kundër Kosovës është shkelje e qartë e kësaj marrëveshjeje”, ka thënë zëdhënësi Stano.

Neni 4 i Marrëveshjes, të cilit i është referuar Stano, ka këtë përmbajtje: “Palët nisen nga supozimi se asnjëra nga këto të dyja nuk mund ta përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj. Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

Përkundër kësaj, Serbia gjatë vitit ka zhvilluar lobim intensiv kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, e së fundmi edhe kundër anëtarësimit të Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.