“BE-ja e mirëpret faktin që Prokuroria Speciale e Kosovës ka përfunduar hetimin për sulmin në Banjskë dhe ka ngritur aktakuzat relevante. BE-ja në mënyrë të vazhdueshme ka përsëritur pritjet që të gjithë përgjegjësit dhe të përfshirët në këtë sulm brutal të mbahen përgjegjës. Tash nis procesi gjyqësor. E ne presim përfundimin e procesit gjyqësor”, ka thënë të enjten zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, kur është pyetur lidhur me çështjen gjatë konferencës së rregullt për shtyp në Bruksel
Bashkimi Evropian e ka mirëpritur të enjten ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria Speciale e Kosovës ndaj 45 personave të akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të vitit të shkuar, në të cilin ka mbetur i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.
Por, Bashkimi Evropian (BE) për momentin nuk është i gatshëm që të ndërmarrë ndonjë veprim ndaj Serbisë, pasi thotë se tash do ta presë përfundimin e procesit gjyqësor lidhur me rastin e Banjskës, ka thënë të enjten në Bruksel zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.
“BE-ja e mirëpret faktin që Prokuroria Speciale e Kosovës ka përfunduar hetimin për sulmin në Banjskë dhe ka ngritur aktakuzat relevante. BE-ja në mënyrë të vazhdueshme ka përsëritur pritjet që të gjithë përgjegjësit dhe të përfshirët në këtë sulm brutal të mbahen përgjegjës. Tash nis procesi gjyqësor. E ne presim përfundimin e procesit gjyqësor”, ka thënë Stano kur është pyetur lidhur me çështjen gjatë konferencës së rregullt për shtyp në Bruksel.
Ai ka thënë po ashtu se BE-ja tani është duke e pritur vendimin e gjykatës, teksa ka shtuar që Serbisë në vazhdimësi i është kërkuar bashkëpunim i plotë lidhur me hetimet për këtë rast.
“Presim që Serbia plotësisht të bashkëpunojë në hetim të këtij sulmi. Kjo është pritja e Bashkimit Evropian dhe qëndron ende dhe ne e përcjellim mesazhin vazhdimisht te partnerët tanë në Serbi. Kemi thënë atëherë, në fund shtatorit të vitit të kaluar, se ky sulm përbënte një eskalim të qartë e të paprecedentë dhe do të ketë pasoja. Kur gjykata në Kosovë të vendosë kush është fajtor e kush është përgjegjës apo i pafajshëm, atëherë do të jemi në gjendje të përgjigjemi”, ka thënë Stano.
Ai ka përsëritur se nuk do të ketë përzierje në procesin gjyqësor, por se do të pritet përfundimi i tij.
“Ne kemi një gamë të instrumenteve që mund të përdorim në konsultim me shtetet anëtare. Nuk jemi ende aty. Procesi gjyqësor ka nisur. Me rëndësi, hetimi ka përfunduar. Tash gjykata duhet të vendosë nëse përfundimet e hetimit janë të kënaqshme. Do ta shohim përfundimin”, ka theksuar Stano.
BE-ja vazhdimisht pati insistuar se është në pritje të përfundimit të hetimeve për të marrë veprime. Por Stano, të enjten ka thënë se është normale që duhet pritur përfundimi i procesit gjyqësor.
“Është logjike, çdo hetim pasohet nga procesi gjyqësor. Hetimi krijon konludimet e caktuara e ato dorëzohen në formë aktakuze. Tash procesi gjyqësor nis. Kjo është procedurë gjyqësore dhe nuk të ndërhyhet. Është pjesë procesi. Kur përfundohet e gjitha, atëherë është koha për të tjerët të komentojnë e t'i nxjerrin pasojat”, ka theksuar Stano.
E i pyetur nëse BE-ja do të insistojë që Milan Radoiçiqi, ish-nënkryetari i Listës Serbe që ka pranuar përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, të ekstradohet në Kosovë, Stano ka thënë se qëndrimi gjithmonë ka qenë i qartë se “Serbia duhet të bashkëpunojë plotësisht”.
Brenda Bashkimit Evropian ka qarqe që mendojnë se Serbia duhet të ketë pasoja për mosbashkëpunimin në rastin e Banjskës dhe se kjo duhet të reflektohet edhe në rrugëtimin e Serbisë drejt BE-së.
Edhe në një raport të brendshëm të Komisionit Evropian, të përpiluar lidhur me përmbushjen e kritereve të Serbisë në kapitullin 23 të negociatave të anëtarësimit, është theksuar se autoritetet në Beograd nuk kanë bërë sa duhet për t’i hetuar sulmet në veri të Kosovës. E disa shtete anëtare të bllokut evropian kanë kërkuar që Serbisë t’i bëhet më shumë trysni për t’i nxjerrë para drejtësisë të akuzuarit për sulmin në Banjskë, pasi dihet se kush janë ata dhe dihet që ata ndodhen në territorin e Serbisë.