LAJMET E MBRËMJES

BE: Kosova ta heqë ndalesën ndaj produkteve serbe

Përfaqësues të Bashkimit Evropian kanë listuar kushtet që Kosova dhe Serbia duhet të plotësojnë në mënyrë që ato të përfitojnë nga Plani i Rritjes. Në diskutimet për investime të qëndrueshme në kuadër të forumit të Këshillit të Investitorëve Evropianë, shefi i zyrës së BE-së në Kosovë ka shtruar kërkesë urgjente për autoritetet të Kosovës. Ai ka thënë se njëri nga standardet e Planit 6 miliardësh të BE-së është lëvizja e lirë të mallrave

Bashkimi Evropian ka kërkuar sërish heqjen e ndalesës për produktet serbe nga autoritetet e Kosovës. Shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog, ka thënë se lëvizja e lirë e mallrave është një nga komponentët kyçe të Planit të Rritjes, nga i cili synon të përfitojë Kosova.

Qeveria e Kosovës ndaloi importet nga Serbia, pas arrestimit të tre policëve kosovarë nga forcat serbe. Kjo ndalesë nga autoritetet e Kosovës është paraqitur si masë sigurie e jo ekonomike apo tregtare. Ndalesa e plotë e mallrave më pas është zbutur derisa aktualisht në Kosovë nga Serbia mund të hyjë vetëm lëndë e parë dhe gjysmë-produkte të nevojshme për prodhimin final.

Në hapjen e Forumit të Këshillit të Investitorëve Evropianë, Szunyog ka përsëritur kushtëzimin e vendosur ndaj Kosovës dhe Serbisë. 

“Për Kosovën dhe Serbinë do të ketë disa kushte shtesë që të angazhohen në mënyrë konstruktive me progres të matshëm e rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve. Në këtë drejtim lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve dhe punëtorëve, është komponent kyç i Planit të Rritjes. Kështu që inkurajoj Kosovën që të heqë sa më shpejt ndalimin e produkteve serbe në Kosovë sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë Szunyog.

Sipas tij, Plani i Rritjes do të ndihmojë vendet e rajonit që të rrisin zhvillimin ekonomik e t`i afrojë ato me tregun e vetëm ekonomik.

“Plani i ri është i ndërtuar në katër shtylla kryesore të ndërvarura dhe e fuqizojnë njëri tjetrin. E para e trajton integrimin ekonomik me tregun e vetëm të BE-së. I dyti synon përmirësimin e zhvillimit ekonomik përmes tregut të përbashkët përmes rregullave dhe standardeve të BE-së që potencialisht i shtojnë 10 për qind zhvillimit ekonomik. Në shtyllën e tretë jemi duke folur për reforma thelbësore të përshpejtuara në shtegtimin për anëtarësim në BE dhe e katërta synon t’i mbështetë këto tri të parat”, ka thënë ai.

Duke folur për investimet e qëndrueshme, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, ka thënë se duhet që të punohet në zhvillimin e tyre derisa ka theksuar rëndësisë e ruajtjes së fuqisë punëtore.

Sipas tij, rritja e investimeve direkte të huaja, rritja e remitencave dhe e vendeve të punës, janë disa nga zhvillimet pozitive në rritjen e eksportit.

“Sa u përket remitencave dhe investimit të drejtpërdrejtë të huaj Kosova dallohet në rajon në mos edhe më tutje, por problem është se si të kthehen këto rrjedha të investimeve në diçka më produktive, në këtë kohë pothuajse 80 për qind e investimeve direkte të huaja investohen në paluajtshmëri. Remitencat kryesisht përdoren për konsum, në ndërkohë që të dyja janë burime të rëndësishme që të mbajmë në lëvizje ekonominë”.  

E shefi i kabinetit në Zyrën e Kryeministrit, Luan Dalipi, Planin e Rritjes së BE-së e ka përmendur në mesin e ndihmave të shumta për zhvillim nga blloku evropian. Dalipi ka thënë se kanë bërë përmirësime në lidhje me zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm, e janë duke vazhduar me zbatimin e reformave të nevojshme. 

“Kosova është duke konkurruar me shtete e tjera në rajon sa i përket përforcimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit. Jemi vendi që po arrin përmirësime të dukshme, jemi të parët në këtë aspekt por duhet të aspirojmë që të jemi të parët edhe për eksport për kohë të banorit dhe sektorë të tjerë”, ka thënë ai. “Shumë prej sukseseve të Kosovës janë si rezultat i bashkëpunimit të mirë që kemi, duke pasur gjithmonë edhe ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë. Kemi shumë për të bërë e dimë këtë dhe e pranojmë, por mendoj që jemi në rrugën e duhur”.

Sipas Dalipit, janë identifikuar 7 miliardë euro investime të nevojshme si në infrastrukture, transport, mjedis e energji. 

Për Planin e Rritjes, është diskutuar edhe në njërin prej paneleve të diskutimit. Udhëheqësi i BERZH-it në Kosovë, Sergiy Maslichenko, tha se ndonëse ky plan mbulon një duzinë fushash, nuk duhet krijuar pritshmëri të mëdha nga ai. 

“Çelësi është që të ketë projekte të përgatitura mirë dhe të lëvizet më shpejtë. Kemi strategji të mira dhe ambicioze por nëse shikoni te implementimi, të gjithë ne, sektori privat, sektori publik duhet të shohim më shumë progres”, ka thënë ai.

Sipas tij, plani i BE-së është mjet i mirë, por se projektet janë kryesisht ato që janë të planifikuara tashmë nga Qeveria.

Forumi për Investime të Qëndrueshëm do të vazhdojë diskutimet edhe të martën me tema e panelistë të tjerë.