LAJMET E MBRËMJES

BE: Kosova rrezikon të mbetet vetëm dhe prapa nëse s’i dëgjon aleatët

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka sqaruar të premten se kërkesa për diskutimin e statusit të urës mbi Ibër në Bruksel nuk ka të bëjë me ndonjë marrëveshje të re, por me zbatimin e asaj të arritur më parë në kuadrin e dialogut. “...mund të përsëris se çfarë e kemi këshilluar Prishtinën në një numër rastesh: Qeverisja e mirë nënkupton që t’u afrohesh dhe t’i angazhosh komunitetet ndaj të cilave kanë ndikim vendimet specifike. Që të merresh me çështjen e urës në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja do të thotë të diskutohen modalitetet e implementimit të marrëveshjes së arritur për urën, e jo një marrëveshje e re”, ka thënë Stano

Pas atij për masa ndëshkuese shtesë, në Bashkimin Evropian (BE) të premten i kanë adresuar një tjetër paralajmërim Kosovës lidhur me veprimet në funksion të hapjes për qarkullim të automjeteve të urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Peter Stano, ka thënë se Kosova rrezikon që të mbetet e vetme po qe se nuk i dëgjon aleatët ndërkombëtarë, të cilët kanë kërkuar që hapja e urës të mos bëhet në këtë kohë. 

“Vërtet nuk kemi asgjë të re për të thënë për temën e rihapjes së urës. Vetëm mund t’ua rikujtoj të gjithë atyre që kanë problem të dëgjojnë dhe të kuptojnë se të gjithë miqtë dhe aleatët e Kosovës (BE, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO, Britania e Madhe...) e kanë thënë shumë qartë dhe pa mëdyshje se është në interesin e Kosovës që t’i dëgjojë miqtë dhe aleatët, përndryshe rrezikon që të mbetet vetëm dhe prapa”, ka thënë Stano në një përgjigje për KOHËN.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar në fillim të gushtit për synimin që ta hapë edhe për qarkullim të automjeteve urën që e ndan qytetin e Mitrovicës në jugun e banuar me shqiptarë dhe në veriun me shumicë serbe, ndërsa në këtë synim ka ndërmarrë edhe disa veprime, përfshirë zhvillimin e një debati publik për shqetësimet eventuale të qytetarëve si dhe testimin e qëndrueshmërisë së urës për kalimin e automjeteve të rënda. 

Gjatë javës, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë (REL) se ka rrezik të vërtetë se hapja e urës në Mitrovicë në këtë kohë mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë. Krahas prej SHBA-së, veprimet e Kosovës janë kundërshtuar edhe nga BE-ja dhe nga vendet e QUINT-it, të cilat kanë kërkuar që për statusin e urës të diskutohet në dialogun e Brukselit. 

Por diskutimi i kësaj çështjeje me Serbinë në dialog është kundërshtuar nga autoritetet në Kosovë dhe për këtë BE-ja është kritikuar.

I pyetur rreth kritikave të zyrtarëve të Qeverisë dhe të presidentes, Vjosa Osmani, zëdhënësi i BE-së Stano ka thënë se diskutimi për urën në Bruksel nuk ka të bëjë me ndonjë marrëveshje të re, por me zbatimin e asaj të arritur më parë në kuadrin e dialogut.

“...mund të përsëris se çfarë e kemi këshilluar Prishtinën në një numër rastesh: Qeverisja e mirë nënkupton që t’u afrohesh dhe t’i angazhosh komunitetet ndaj të cilave kanë ndikim vendimet specifike. Që të merresh me çështjen e urës në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja do të thotë të diskutohen modalitetet e implementimit të marrëveshjes së arritur për urën, e jo një marrëveshje e re”, ka thënë Stano të premten.

Në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të lehtësuar nga BE-ja, palët janë pajtuar më 2014 që ura të hapet për qarkullim porse kjo nuk është realizuar kurrë në praktikë.

Presidentja Osmani dhe udhëheqësit shtetërorë në Kosovë kanë insistuar se ura duhet të hapet dhe se për këtë nuk duhet të diskutohet me Serbinë. Presidentja Osmani ka thënë të enjten se hapja e urës duhet të bëhet në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

“Nuk ka çka të pyetet Serbia për një urë brenda territorit të Republikës së Kosovës. Dialog me Serbinë për këtë temë nuk do të duhej të pranonte askush, do të ishte kundërkushtetues dhe kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës. Por dialog me shpëtimtarët tanë, ajo jo vetëm që është e nevojshme dhe e domosdoshme, por është në interesin tonë mbi të gjitha”, ka thënë ajo nga një vizitë që e ka bërë në Viti.

Ndonëse për hapjen e Urës së Ibrit, Qeveria tashmë ka hartuar një plan, presidentja Osmani ka kërkuar që për këtë qëllim të hartohet një i ri me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  

Data për hapjen e Urës së Ibrit edhe për qarkullim të automjeteve nuk është zbardhur ende nga qeveritarët. E me gjithë qëndrimet e ndryshme, të mërkurën kryeministri Albin Kurti ka thënë se janë duke vazhduar konsultimet dhe koordinimin me partnerët ndërkombëtarë.

Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë dhe në janë të stacionuar ushtarët italianë të misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR – bashkë me pjesëtarët e Policisë së Kosovës që ndodhen afër saj.

Në KFOR kanë paralajmëruar se nuk do të hezitojnë që të veprojë për t’iu përgjigjur zhvillimeve të lidhura me sigurinë. Autoritetet e Kosovës janë kritikuar edhe për mbylljen e nëntë degëve të Postës së Serbisë në veriun e banuar kryesisht me serbë gjatë fillimgushtit, për të cilat kanë thënë se vepronin pa licencë.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara e kanë kritikuar vendimin për mbylljen e tyre si veprim të “njëanshëm”.