LAJMET E MBRËMJES

BE-ja Serbisë: Vizita e Sveçlës në Luginë duhej të ishte lejuar

Zëdhënësi i BE-së për çështje të Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë, Peter Stano, ka thënë të enjten se vizita e ministrit të Brendshëm të Kosovës në Luginën e Preshevës ka qenë e paralajmëruar në përputhje me rregullat, të cilat ishin caktuar në marrëveshjen e arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi lidhur me vizitat zyrtare të ndërsjella dhe se duke qenë e këtillë ajo do të duhej të ishte lejuar nga autoritetet serbe

Autoritetet e Serbisë është dashur që ta kishin lejuar vizitën e ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, në Luginën e Preshevës, ka thënë të enjten zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE) për çështje të Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë, Peter Stano.

Reagimi nga Brukseli zyrtar është bërë pasi që Sveçlës në fillim të janarit i është refuzuar leja për t’i vizituar Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me anulimin e vizitës së Sveçlës në Luginë, Stano ka thënë gjatë një konference për media në Bruksel se vizita ka qenë e paralajmëruar në përputhje me rregullat, të cilat ishin caktuar në marrëveshjen e arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi lidhur me vizitat zyrtare të ndërsjella.

“Prandaj Serbia duhet të lejojë që kjo vizitë të ndodhë”, është shprehur zëdhënësi i BE-së.

Sipas Stanos, meqë vizita e paralajmëruar ka qenë në përputhje me këtë marrëveshje, atëherë është dashur që ajo të ishte lejuar. Zëdhënësi i BE-së ka shfrytëzuar rastin për t’u bërë ftesë edhe një herë si Kosovës ashtu edhe Serbisë që t’i mundësojnë vizitat e ndërsjella dhe që në këtë mënyrë të zbatojnë në tërësi edhe Marrëveshjen për vizita zyrtare, si dhe atë për lirinë e lëvizjes.

“Të gjitha marrëveshjet duhet të zgjidhen me dialog. BE-ja vazhdon të jetë e gatshme për të lehtësuar diskutimet për të gjetur zgjidhje”, ka thënë ai.

Më 4 janar Sveçla pati planifikuar që të vizitonte Luginën e Preshevës, porse kjo vizitë nuk është lejuar nga autoritetet në Beogradin zyrtar.

Ka pasur disa raste kur zyrtarë të Kosovës nuk janë lejuar që të vizitonin Luginën e Preshevës apo edhe ndonjë pjesë tjetër të Serbisë. Por, ka pasur po ashtu edhe raste kur autoritetet e Kosovës nuk i kanë lejuar zyrtarët e Serbisë që të hyjnë në territorin e Kosovës.

Më 27 nëntor të 2021-tës, autoritetet në Serbi patën refuzuar kërkesën e katër ministrave për vizitë dyditore në Luginë të Preshevës. Më herët Kosova po ashtu ka refuzuar vizitën në Kosovë të shefit të Zyrës për Kosovë në Qeverinë Serbe, Petar Petkoviq. Në të gjitha këto raste BE-ja gjithmonë i kishte kritikuar palët për refuzimin e dhënies së lejeve për vizita, duke u kërkuar atyre që të lejojnë vizita të tilla në bazë të marrëveshjes së arritur për vizita të ndërsjella zyrtare.

Sipas aranzhimeve midis Kosovës dhe Serbisë për vizitat zyrtare, të arritura nën ndërmjetësimin e BE-së, këto vizita duhet të paralajmërohen përmes zyrtarëve ndërlidhës. Ndërkaq autoritetet e shteteve përkatëse duhet t’i autorizojnë ato.