LAJMET E MBRËMJES

BE-ja mirëpret thirrjet e Vuçiqit për riintegrimin e serbëve në institucionet e Kosovës

“Ne mirëpresim gatishmërinë e shprehur nga presidenti Vuçiq për vazhdimin e angazhimit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Në mënyrë pozitive vërejmë edhe ftesën për serbët e Kosovës për pjesëmarrje në zgjedhjet në Kosovë dhe riintegrimin e serbëve të Kosovës në të gjitha institucionet e Kosovës, nga të cilat ishin larguar në vitin 2022. BE-ja në mënyrë të vazhdueshme e ka ftuar Beogradin që të inkurajojë dhe Prishtinën, që të mundësojë riintegrimin e serbëve të Kosovës” ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, të hënën

Thirrja e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për pjesëmarrje të serbëve në zgjedhjet në Kosovë dhe për kthim në institucionet, nga të cilat ishin larguar në vitin 2022, ka hasur në mirëkuptim në Bashkimin Evropian (BE) dhe një thirrje e tillë është mirëpritur në Bruksel. Po ashtu është mirëpritur edhe zotimi i presidentit të Serbisë që të mbetet i angazhuar në mënyrë konstruktive në dialog. Këto kanë qenë pjesët pozitive, të cilat BE-ja i ka vërejtur në paraqitjen e presidentit të Serbisë të premten. Ndërkaq sa u përket hapave të tjerë të Serbisë, zëdhënësi i BE-së ka përsëritur thirrjet e përgjithshme për përmbajtje nga retorika nxitëse, nga hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar, duke përsëritur se kjo thirrje ka të bëjë ndaj të dyja palëve dhe të dyja palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve.

Zëdhënësi i BE-së Peter Stano i ka shprehur këto qëndrime të BE-së, duke u përgjigjur në pyetjet e medieve rreth masave që ka paralajmëruar Serbia të premten si përgjigje ndaj situatës në pjesën veriore të Kosovës.    

“Ne mirëpresim gatishmërinë e shprehur nga presidenti Vuçiq për vazhdimin e angazhimit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Në mënyrë pozitive vërejmë edhe ftesën për serbët e Kosovës për pjesëmarrje në zgjedhjet në Kosovë dhe riintegrimin e serbëve të Kosovës në të gjitha institucionet e Kosovës, nga të cilat ishin larguar në vitin 2022. BE-ja në mënyrë të vazhdueshme e ka ftuar Beogradin që ta inkurajojë dhe Prishtinën që ta mundësojë riintegrimin e serbëve të Kosovës” ka thënë Stano, teksa ka shtuar se procedurat e nevojshme janë pjesë përbërëse edhe nga marrëveshjet e dialogut.
“Marrëveshjet nga dialogu përmbajnë hapat dhe procedurat që kjo të ndodhë, në përputhje dhe  respekt të  kornizës ligjore të Kosovës. Në këtë kontekst, implementimi i Bashkësisë/Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe është shumë i rëndësishëm”, ka thënë ai.

Stano në emër të BE-së ka përsëritur thirrjet që palët të përmbahen nga ajo që e ka quajtur “retorikë nxitëse dhe mashtruese” si dhe nga  veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara, të cilat shkojnë kundër dialogut dhe vënë në rrezik normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë si dhe sigurinë e qytetarëve.

Zëdhënësi i BE-së ka ftuar të dyja palët që në mënyrë konstruktive të angazhohen në implementimin e plotë të obligimeve nga dialogu. Ka thënë se rasti i parë për këtë do të jetë të martën (17 shtator), kur në Bruksel pritet të takohen kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut.
Në fakt, Vuçiqi më 13 shtator, nuk dha veç deklarata, ai vuri edhe kushte e parakushte. Parakusht, sipas tij, është statusi Quo-ante, që i bie kthim në një periudhë para se të nisnin, sipas tij, aksionet e njëanshme të Qeverisë në veri për zhbërjen e strukturave paralele.

Po ashtu, shpallja e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimi i serbëve në Policinë e Kosovës dhe në gjyqësor, si dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut, kanë qenë disa prej kërkesave kryesore që ka përmendur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq për Kosovën.
Në adresim, Vuçiqi ka thënë se Serbia beson që përmbushja e kërkesave përbën “parakusht të domosdoshëm për një përparim domethënës” në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
"Kërkojmë të kthehemi te gjithçka që është arritur dhe përparuar në procesin e dialogut".
Ai ka paralajmëruar se Beogradi do të nisë një “fushatë diplomatike globale”, në mënyrë që të plotësohen këto kërkesa.

Sipas një dokumenti që u është shpërndarë medieve para adresimit të Vuçiqit, Parlamenti serb do të miratojë një vendim për “paligjshmërinë” e të gjitha institucioneve të themeluara në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 2008.
Vuçiqi ka thënë të premten se nuk ekziston asnjë zgjidhje e kënaqshme për serbët, siç ka thënë ai, “për problemin e Kosovës dhe Metohisë”.

“Nuk ekziston ai mrekullibërës që mund t'u sjellë serbëve një zgjidhje të mirë për Kosovën dhe Metohinë. E pranoj. Edhe pse jam presidenti që ka zhvilluar më së shumti bisedime”, ka thënë Vuçiqi në një fjalim drejtuar popullit, të paralajmëruar ditë më parë.

Po ashtu ka paralajmëruar se përmes një ligji, do ta shpallë Kosovën “zonë të veçantë të mbrojtjes sociale”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk i ka komentuar deri më tash kërkesat e Vuçiqit.
E kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se Vuçiqi po tenton të ruajë në Kosovë “atë që nuk e ka më”.

“Ai [Vuçiqi], faktikisht, po e kërcënon Republikën e Kosovës përmes konferencës së tij për shtyp, mirëpo ky është një kërcenim, i cili, ta them të drejtën, nuk na bën shumë përshtypje. Ne nuk frikësohemi, nuk shqetësohemi, sepse në atë pjesë të vendit janë institucionet e Kosovës, janë institucionet e sigurisë, janë institucionet politike, janë komunat që funksionojnë... Është shans i humbur i qytetarëve që kanë mendime të tjera për të marrë pjesë në procesin politik edhe për të qenë bashkëpjesëmarrës në procesin politik. Pas kësaj që ka ndodhur, vendi e ka marrë një drejtim të ri”, ka thënë Konjufca.