Pasi e ka përmbyllur dëshminë ish-udhëheqësi i Zbulim-Kundërzbulimit në Zonën e Pashtrikut, Halil Qadraku, në gjykatoren e Hagës është paraqitur me detyrim ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sokol Bashota. Në ditën e parë të dëshmisë së tij, Bashota ka thënë se Shtabi nuk ka urdhëruar vrasjen e bashkëpunëtorëve të Serbisë dhe se vendimi eventual për këtë u ka takuar komandantëve të zonave
Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sokol Bashota, të enjten nuk e ka nisur vullnetshëm dëshminë e tij në rastin më të madh që është duke u zhvilluar në Hagë. Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se ai është sjellë me detyrim.
Para trupit gjykues, ish-zëvendëskomandanti i Shtabit të Përgjithshëm ka dëshmuar në linjë me mbrojtjen e katër të akuzuarve, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, se Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së nuk ka marrë vendime për vrasjen e bashkëpunëtorëve të Serbisë.
“Komandantët e zonave në çdo zonë kanë pasur të drejtë të vendosin mbi këto çështje personalisht, por nuk ka një urdhër, po e them edhe një herë, unë të paktën nuk mbaj mend që ka ekzistuar një urdhër i veçantë për një rast të tillë”, ka thënë ai.
Prokuroria e ka ballafaquar Bashotën me intervistën e dhënë për hetuesit e Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi në rastin ndaj Ramush Haradinajt gati 20 vjet më parë. Para tyre, ai pati thënë të kundërtën.
Bashota, gjatë seancës së të enjtes, ka thënë se nuk e ka pasur fjalën për planifikim e realizim të vrasjeve.
“Në një intervistë që e kam dhënë atëherë, që nuk kam pasur mundësi ta sqaroj, sepse nuk jam thirrur në Tribunal për të dëshmuar, prapë po e them: Shtabi i Përgjithshëm në asnjë moment, unë nuk e di që ekziston diku një dokument ku Shtabi i Përgjithshëm ka dhënë urdhër për vrasjen e kolaboracionistëve”, është shprehur ai.
Në fakt, Bashota nuk e ka nisur vullnetshëm dëshminë në rastin më të madh gjyqësor që po zhvillohet në Hagë.
Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se ai është sjellë me detyrim.
Bashota u paraqit në gjykatore pasi përfundoi dëshminë katërditore ish-udhëheqësi i Zbulim-Kundërzbulimit në Zonën e Pashtrikut, Halil Qadraku.
Në ditën e fundit të dëshmisë, Qadraku ka thënë se për aq kohë sa e ka ushtruar funksionin, nuk ka marrë urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm.
“Kurrë për atë kohëzgjatje, prej pesë muajsh e katër a pesë ditësh sa kam qenë shef i G2-shit në Zonën Operative të Pashtrikut gjatë luftës unë kurrë nuk kam marrë ndonjë raport, ndonjë urdhër, ndonjë kërkesë, ndonjë njoftim nga shtabi i përgjithshëm i ushtrisë çlirimtare të Kosovës”, ka deklaruar ai.
Avokati i Qadrakut, Arianit Koci, i ka paraqitur vërejtje Gjykatës për – siç e ka quajtur – injorim kur deshi të shprehë vërejtjet e tij ndaj pyetjeve të njërit prej anëtarëve të trupit gjykues.
“Gjatë marrjes në pyetje të klientit tim kur gjyqtari Mettraux ishte duke e marrë në pyetje, e kam ngritur disa herë dorën. Jam injoruar, thjesht dhe nuk keni marrë vendim të ma ndaloni pyetjen. Qëllimi im ka qenë që ta parandaloj që publikisht në kamera (në publik v.j) të flitet për dënimin e tij për armëmbajtje pa leje, dënim i cili sipas ligjit është i rehabilituar dhe së paku nuk duhet të flitet në publik për këtë çështje”, ka thënë Koci.
Ai ka bërë të ditur po ashtu se Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka përmbyllur hetimet ndaj Qadrakut, duke i hequr dyshimet për krime lufte.
“Pas një hetimi të gjatë dhe të detajuar, të zhvilluar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, kam kënaqësinë të njoftoj se hetimet ndaj klientit tonë, z. Halil Qadraku, janë pushuar. Ky vendim është një zhvillim i rëndësishëm dhe i mirëpritur, jo vetëm për z. Qadraku dhe familjen e tij, por edhe për të gjitha proceset e tjera që po zhvillohen në Hagë. Pushimi i hetimeve pasqyron një vlerësim të drejtë dhe të paanshëm të fakteve dhe rrethanave të rastit”, ka shkruar avokati Koci në Facebook.
Në seancë të mbyllur ka dhënë dëshmi edhe dëshmitari i mbrojtur me kodin “04820”. Sipas një vendimi të trupit gjykues, të nxjerrë më 27 korrik të këtij viti, ai është ish-pjesëtar i UÇK-së, dëshmia e të cilit lidhet me rrethanat e zhdukjes së një personi që pretendohet të jetë mbajtur nga UÇK-ja.
Në bazë të kësaj shkrese gjyqësore, dëshmitari “04820” është i vetmi që mund të dëshmojë direkt për vendndodhjen e viktimës (që është pjesë e aktakuzës) fill pas zhdukjes së saj. Në këtë dokument publik gjyqësor, thuhet se dëshmia e tij është komplementare me dëshminë e një dëshmitari tjetër që pritet të dëshmojë lidhur me zhdukjen e familjarit të tij pas mbajtjes në Likoc.
“Sa i përket relevancës, trupi gjykues vë re që dëshmitari 04788 është familjar i viktimës së vrasjes, se ZPS-ja synon të mbështetet në pranimin e deklaratës në bazë të rregullit 153, në lidhje me, ndër të tjera, 1) Zhdukja e të afërmit deh përpjekjet për ta gjetur atë, 2) rrethanat e zhdukjes së tij, siç është mënyra se si udhëtoi për në shtabin në Likoc, me një komshi, dëshmitarin 04820, si dhe 3) se si e mësoi dëshmitari 04788 se iu gjet trupi familjares”, thuhet në këtë dokument.
Në këtë rast, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen lidhur me ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së ZPS-së, publikuar në shkurt të vitit 2023, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.
ZPS-ja pretendon se kryen ndërmarrje të përbashkët kriminale që ndërlidhet me gjashtë akuza për krime lufte dhe katër akuza për krime kundër njerëzimit. Shumica e viktimave të krimeve, sipas ZPS-së, janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre.
Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki dhe se peshën e kishin komandantët e zonave. Po ashtu kanë thënë se qëllimi i UÇK-së ishte të luftohet Serbia, e jo civilët.