Në rastin ku po gjykohen ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, për të dytën ditë ka vazhduar dëshminë Sokol Bashota. Ai është ballafaquar me deklaratat e dhëna në Tribunalin e Hagës para rreth 20 vjetësh në procesin gjyqësor ndaj Ramush Haradinajt
Në Dhomat e Specializuara në Hagë të hënën e ka vazhduar dëshminë ish-zëvendëskomandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Sokol Bashota.
Ai është ballafaquar me deklaratat e dhëna në Tribunalin Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi, kur pati dëshmuar në procesin gjyqësor ndaj Ramush Haradinajt.
Nga avokati i Hashim Thaçit, Lluka Mishetiq, atij iu lexua një deklaratë e dhënë më 2005, kur ishte pyetur se kush kishte përgjegjësi për t’u marrë me bashkëpunëtorët. Atëkohë Bashota pati thënë se kjo ishte përgjegjësi e Shtabit të Përgjithshëm e jo e komandantëve të zonave.
Mishetiqi e pyeti Bashotën nëse këtë deklaratë e ka dhënë për ta shfajësuar Haradinajn.
“Por, ju zgjodhët Shtabin e Përgjithshëm këtu dhe unë po ju them se një nga arsyet që keni zgjedhur Shtabin e Përgjithshëm është se ju e dinit që po intervistoheshit për zotëri Haradinajn dhe nëse do të thoshit ju që ka qenë zotëri Haradinaj përgjegjës, do ta implikonit atë në krimet e luftës për të cilat akuzohej apo jo?”, ka pyetur Mishetiq.
E Bashota është shprehur se në atë kohë ka pasur edhe presion.
“Jo nuk iu kam shmangur në asnjë moment për ato që kam pasur informacione, në atë intervistë jam munduar ta them të vërtetën, për aq sa kam pasur informacion. Intervistën e dini që e kam bërë pak nën presion edhe të shëndetit që e kam pasur, edhe të kohës së gjatë që jam intervistuar tërë ditën në atë intervistë pa pasur mundësi as të ushqimit, madje kam marrë edhe medikamente, pa e pasur edhe avokatin prezent dhe në terminologji kam mundur shpeshherë të gaboj”, është përgjigjur Bashota.
Dëshmitari ka folur edhe për ndërrimin e udhëheqjes së Shtabit të Përgjithshëm në shkurt të vitit 1999.
Nga avokati Mishetiq është pyetur se pse nuk është kundërshtuar kërkesa e komandantëve të zonave për dorëheqje të tij dhe të komandantit të përgjithshëm, Azem Syla.
“Një tendencë e tille kishte me qenë një tragjedi për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ne nuk kemi mundur të hyjmë në konflikt me komandantët e Zonave, për arsye se ata e kanë pasur një autoritet të madh tek ushtarët dhe vartësit e tyre dhe ne e kemi pranuar si kërkesë të tyren dhe nuk kemi dashur të shkaktohet ndonjë përçarje mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka theksuar dëshmitari.
Bashota ka thënë se fillimisht ka menduar se nisma e komandantëve të zonave për ndërrimin e udhëheqjes së Shtabit ishte e motivuar nga Serbia, por më vonë ka ndërruar mendjen.
“Ata nuk kanë qenë as më trima, as më të fortë sesa unë. Por më tepër e kam konsideruar si një ambicie egoiste e tyre për të marrë udhëheqjen e Shtabit të Përgjithshëm të UCK-së. Fillimisht nuk e kam fshehur edhe idenë që mund të jenë pikërisht shërbimi i fshehur i Serbisë që ka mundur ta fusë këtë përçarje, por këtë dilemë e kam hequr për shkak se të gjithë këta komandantë në historinë e tyre, biografinë e tyre nuk i takojnë asaj kategorie që të bien pre e kësaj propagande”, ka thënë ai.
Sipas Bashotës, Thaçi i është bashkuar Shtabit të Përgjithshëm në fund të vitit 1998.
Në këtë proces të akuzuar janë edhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Bashota dëshminë do ta vazhdojë edhe të martën.