LAJMET E MBRËMJES

Bashota: Gjatë verës 1998, UÇK-ja kishte kolapsuar

Ka vazhduar edhe të martën dëshminë në Dhomat e Specializuara në Hagë, ish-zëvendëskomandanti i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare, Sokol Bashota. Ai u përball me pyetjet e avokatëve mbrojtës e kundër-pyetjet e prokurorisë. Theksoi se Shtabi i Përgjithshëm nuk i kishte emëruar komandantët e zonave, por vetëm pati konfirmuar vendimin e marrë nga zonat.

Ish-zëvendëskomandanti i përgjithshëm i UCK-së, Sokol Bashota, gjatë dëshmisë së tij në Hagë, ka thënë se gjatë verës së vitit 1998 Ushtria Çlirimtare kishte kolapsuar.

Bashota në ditën e tretë të dëshmisë së tij në rastin më të madh të Speciales ku po gjykohen ish-krerët e UÇK-së, u përball me pyetjet e avokatëve mbrojtës e kundër-pyetjet e prokurorisë..

Atij, nga avokati i Veselit, Rodeny Dixon, iu lexua një raport në të cilin jepet një përmbledhje e situatës ushtarake më datë 23 shtator 1998.

“UÇK-ja duket sikur është shpërbërë, është shkatërruar. Infrastruktura e UÇK-së, megjithëse nuk ka qenë asnjëherë e sofistikuar, është ndërprerë në mënyrë të suksesshme dhe UÇK-ja është zvogëluar në xhepa në grupe shumë të vogla dhe është shpërndarë në të gjithë vendin...Vetë Demaçi e ka pranuar që UÇK-ja tashmë është shpërbërë, apo është ndarë në grupime të ndryshme autonome duke u hapur kështu potenciali për rivalitet dhe luftime”, tha Dixon. 

“Nuk mund të them që është shkatërruar Ushtria Çlirimtare e Kosovës, por që është kolapsuar, po. Për arsye se kanë qenë ofensiva shumë të mëdha të ushtrisë serbe dhe është e vërtetë që aty kemi pësuar një goditje shumë të madhe nëpër krejt qendrat ku ka qenë UÇK-ja”, tha Bashota. 

E nga prokurori Marr Halling, Bashotës iu lexua një deklaratë që kishte dhënë vetë ai, lidhur me përfshirjen e Shtabit të Përgjithshëm në emërimin e komandantëve të zonave.

“Po kur keni qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe u krijuan shtatë zonat operative, keni qenë ju të përfshirë në emërimin e Shtabit të Përgjithshëm të komandantëve të Zonave. Jeni përgjigjur po, ka qenë drejtoria politike e Shtabit të Përgjithshëm ajo që i mori këto vendime dhe ka qenë vendim kolektiv. Është ende dëshmia e juaj kjo?” – tha Halling.

“Komandantët e zonave në të gjitha rastet janë zgjedhur nga vetë zona. Shtabi i Përgjithshëm, mbas strukturimit vetëm i ka konfirmuar emrat e tyre si komandantë të zonave”, tha Bashota.

Prokurori Halling e pyeti Bashotën se çfarë do të ndodhte, nëse shtabi do të refuzonte konfirmimin e komandantëve.

Dëshmitari u shpreh se do ndërronte e gjithë përbërja e shtabit. Bashota dëshminë do ta vazhdojë edhe të mërkurën.