“Duhet ta themi se vetë instalimi i tij në krye të KEK-ut ka qenë problematik. Sepse këtë person aty e solli partia në pushtet, pasi dhe ai ishte drejtues i Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje. Dhe ai erdhi në këtë pozitë nga Bordi i Përkohshëm, të cilin e kishte emëruar Qeveria Kurti. Derisa kjo ishte e keqja e parë, fatkeqësia tjetër është se edhe pas arrestimit të Nagip Krasniqit, i madh e i vogël nga partia në pushtet e nga qeveria i dolën në mbrojtje atij duke u përpjekur ta shfajësonin”, ka thënë Azemi në një konferencë shtypi të premten
Njerëz në krye të mafisë energjetike i ka quajtur të premten anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike (LDK), Visar Azemi, ish-kryeshefin ekzekutiv të Korporatës Energjetike (KEK), Nagip Krasniqi, dhe ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Ai, nëpërmjet një konference shtypi, e ka akuzuar partinë në pushtet se e ka mbrojtur Krasniqin, pasi që ai është arrestuar më 19 prill të vitit të shkuar dhe ka qëndruar pesë muaj në paraburgim, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës.
“Duhet ta themi se vetë instalimi i tij në krye të KEK-ut ka qenë problematik. Sepse këtë person aty e solli partia në pushtet, pasi dhe ai ishte drejtues i Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje. Dhe ai erdhi në këtë pozitë nga Bordi i Përkohshëm, të cilin e kishte emëruar Qeveria Kurti. Derisa kjo ishte e keqja e parë, fatkeqësia tjetër është se edhe pas arrestimit të Nagip Krasniqit, i madh e i vogël nga partia në pushtet e nga qeveria i dolën në mbrojtje atij duke u përpjekur ta shfajësonin”, ka thënë Azemi. “E mbronin dhe e mbrojnë ani pse e dinin se ky person dyshohej e akuzohej për negocimin e një tenderi sekret në vlerë prej 3.4 milionë eurove”.
Lidhur me këtë ai e ka akuzuar Krasniqin për lidhje me ambasadorin e Kosovës në Kroaci. E Berishajn ai e ka akuzuar se në kohën kur blloku A5 i termocentralit “Kosova A” ka qenë jashtë funksionit, i ka shkaktuar Kosovës humbje milionëshe për blerje të rrymës.
“Krejt kjo kur blloku A5 në termocentralin ‘Kosova A’ ishte ndërprerë, e në mënyrë të pakuptimtë shtyhej remonti i këtij blloku. E kjo i kushtonte Kosovës rreth 1 milion euro në ditë duke blerë rrymë, të cilën e ndërmjetësonte njeriu tjetër i pushtetit, ambasadori i Kosovës në Kroaci dhe kryemafiozi i energjisë, Martin Berishaj, me të cilin, siç e dini, raportohej se Nagip Krasniqi takohej fshehurazi. E teksa me Martinin bëheshin pazare andej në dëm të KEK-ut e qytetarëve, pikërisht në KEK, janë negociuar e arritur plot 113 tenderë sekretë, në vlerë të mbi 100 milionë eurove”, ka thënë Azemi. “Kjo dyshe famëkeqe ka qenë në krye të mafisë energjetike. Nagip Krasniqi duke u siguruar që të blihet energji elektrike madje në kundërshtim me ligjin e duke negociuar tenderë sekretë me dosta të tij e të pushtetit, kurse kryemafiozi Martin Berishaj që shpërblehej me miliona euro nga GEN-i me seli te A’ në Beograd, duke ndërmjetësuar”.
Në një intervistë për “Interaktiv” të KTV-së të enjten, Krasniqi i ka mohuar akuzat e drejtuara nga opozita për lidhje me Berishajn.
“Unë Martin Berishaj e kam takuar vetëm një herë para dikur 6 vjetëve, nëpërmjet një miku tim dhe vetëm jemi përshëndetur dhe më nuk jemi takuar. Unë kam qenë në një udhëtim zyrtar në Zagreb dhe gjatë atij udhëtimi unë nuk e kam takuar zotëri Berishajn. Pasi jam kthyer nga udhëtimi në Zagreb, zotëri Berisha më ka thirrur në telefon dhe më ka thënë pse nuk e kam kontaktuar në Zagreb, sepse është punë e ambasadorit që t’u ndihmojë kompanive të vendit që përfaqëson vendin ku është ambasador”, ka theksuar Krasniqi.
Ai ka folur edhe rreth pretendimeve për lidhje me kryeministrin Albin Kurti.
“Unë e kam udhëhequr Komitetin për Energjinë në Vetëvendosje për disa vjet. Nuk kam qenë asnjëherë anëtar. Komiteti në VV nuk operon në sistemin e anëtarësisë, por të ekspertëve”, ka deklaruar ai.
E aktakuzën e ngritur ndaj tij nga Prokuroria Speciale, Krasniqi e ka kualifikuar si “gjueti shtrigash”. Aktakuza ndaj Krasniqit është ngritur mbi dyshimin për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, “ushtrim të ndikimit” e “konflikt interesi”. Ai qe arrestuar më 19 prill 2023, pas bastisjeve të kryera nga Njësia e Veçantë e Hetimeve në zyrën e tij në KEK dhe në dy banesat e tij. Në shtator është liruar nga paraburgimi.
(Ardona Popova)