Zyrapi është futur në javën e tretë prej se ka nisur me dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në Hagë. Ai ka konfirmuar shënimet nga një mbledhje e Shtabit me disa komandantë të zonave më 1998, ku Sylejman Selimi ishte shprehur i pakënaqur me emërimin e Sokol Bashotës dhe Jakup Krasniqit si zëvendëskomandantë të përgjithshëm
Gjatë seancës të së hënës në Dhomat e Specializuara në Hagë, avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra i ka lexuar disa shënime të një mbledhjeje të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së me disa komandantë, ku ata shprehin pakënaqësi lidhur me ristrukturimin e komandës në nëntor të vitit 1998.
Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Bislim Zyrapi, i cili po e vazhdon dëshminë në Hagë, në rastin ku të akuzuar janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, ka thënë se i kujtohet ajo mbledhje.
Avokatja Alagendra përmendi një deklaratë të Sylejman Selimit, ku ai shprehte pakënaqësi me dy zëvendëskomandantët e përgjithshëm.
“Sylejman Selimi ka thënë, emërimet që janë bërë në Shtab të Përgjithshëm janë shqetësuese, Sokol Bashota si zëvendëskomandant, nuk është për atë pozicion. Jakup Krasniqi, me gjithë respektin që kam, nuk e ka merituar postin si zëvendëskomandant. Nëse Sokol Bashota dhe Jakup Krasniqi do të qëndrojnë në këto poste, unë nuk do t’i jap llogari ose nuk do të raportoj para Shtabit të Përgjithshëm”, ka thënë Alagendra.
Sipas saj, kjo vërteton se komandantët e zonave nuk e kanë njohur Krasniqin për zëvendëskomandant.
Ajo e ka pyetur Zyrapin edhe për rolin Jakup Krasniqit në Qeverinë e Përkohshme.
“Sapo na thatë që zotëri Krasniqi ka qenë zëdhënësi i Qeverisë së Përkohshme. A pajtoheni që ai ka qenë i emëruar si Ministër i rindërtimit deri në verën e 99-tës. A është e saktë kjo, dëshmitar?”, pyeti ajo.
Dhe mori pohimin e Bislim Zyrapit.
Alagendra më pas u shpreh se Krasniqi nuk ka pasur kurrfarë roli në Ministrinë e Punëve të Brendshme, të cilën në atë kohë e udhëhiqte Azem Syla.
Dëshmia e ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Bislim Zyrapi është më e gjata deri më tash në Speciale.
Ai për herë të parë u paraqit për të dhënë dëshmi para 15 ditësh.