Se në Kosovë ka mungesë të mekanizmave për identifikimin e hershëm të fëmijëve që përballen me sfida të shëndetit mendor, tregojnë gjetjet preliminare të raportit të Institucionit të Avokatit të Popullit për shëndetin mendor të fëmijëve. Për këtë çështje, të hënën është organizuar një tryezë ku u theksuan mangësi të tjera ligjore, infrastrukturore e profesionale
Një varg vërejtjesh, mangësish e boshllëqe ligjore e institucionale janë theksuar të hënën, në një tryezë të organizuar nga Avokati i Popullit, lidhur me shëndetin mendor të fëmijët.
Në diskutimin ku morën pjesë përfaqësues të shumë institucionesh shtetërore, avokati i popullit, Naim Qelaj ka prezantuar disa probleme me të cilat përballet vendi kur bëhet fjalë për shëndetin mendor të fëmijëve.
“Ka një mungesë të mekanizmave sistematikë për identifikimin e hershëm të fëmijëve që përballen me sfidat e shëndetit mendor. E dyta ka të bëjë me qasjen e kufizuar në mbështetjen e specializuar psikologjike në kujdesin parësor dhe dytësor. Korniza ekzistuese ligjore nuk siguron ofrimin e mbështetjes së specializuar psikologjike në nivel të komunitetit”, ka thënë Qelaj.
Psikiatrja Mimoza Shahini ka theksuar se edhe në Qendrën Klinike Universitare, shkelet karta e të drejtave të pacientit, në mungesë të kushteve për shërbime të shëndetit mendor.
“E drejta për shërbim cilësor, sepse infrastruktura fizike aty nuk e mbështetë këtë, por edhe infrastruktura profesionale sepse ne nuk kemi sub-specializime që do të merreshin, për shembull: unë jam anëtare e planit të veprimit për abuzimin e substancave te fëmijët dhe ne kemi thënë që fëmijët nuk mund të shtrohen në psikiatrinë e fëmijëve”, ka deklaruar ajo.
E përfaqësuesja e Ministrisë së Arsimit në këtë tryezë, Merita Bajraktari Januzi ka thënë se po punohet në funksion të zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve.
“Kemi mbajtur vazhdimisht seanca në funksion të zbatimit të protokollit për parandalim dhe referim të dhunës në shkolla. Kemi zhvilluar politikën e mbrojtjes së fëmijës si dokument që do të zbatohet nga kjo shkollë si një udhërrëfyes se si të mbrohet fëmija në kontekst të shkollës nga gjithçka që është e cenueshme, në linjë me kërkesat e ligjit për mbrojtje të fëmijës”, ka thënë Januzi.
Në Institucionin e Avokatit të Popullit kanë thënë se tryeza e organizuar i shërben një raporti që është duke u përgatitur lidhur me shëndetin mendor te fëmijët dhe sfidat me të cilat ballafaqohen.