Avokati i Popullit në Kosovë, Naim Qelaj, ka vlerësuar se institucioni i Ombudspersonit në Hagë nuk i plotëson standardet e paanshmërisë dhe të pavarësisë. Ka thënë se nuk bashkëpunon dhe nuk ndan informacione edhe kur ato mund të jenë publike. Qelaj është shprehur se është në interes të Kosovës që ai të mund të monitorojë disa nga seancat e Gjykatës Speciale
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka thënë se si institucion i kanë marrë me shqetësim dyshimet për shkelje të procedurave në rastin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë.
Të martën, ai ka shprehur shqetësim edhe për mungesë bashkëpunimi me homologun e tij në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në konferencën e fundvitit, Qelaj ka thënë se Ombudspersoni në Hagë ka refuzuar të ndajë informacione me të edhe kur ato do të duhej të ishin publike.
Puna e Avokatit të Popullit në Speciale, sipas Qelajt, nuk i plotëson standardet e paanshmërisë dhe pavarësisë siç përcaktohen nga instrumentet ndërkombëtare.
“Nuk ka ofruar as informata të cilat janë publike ose mund të jenë publike duke u thirrur gjithmonë në konfidencialitet, dhe një mbyllje të plotë të atij institucioni në raport me mua si avokat i popullit. Duke pasur parasysh punën që po e bën ky avokat i popullit ose institucioni atje, unë konsideroj që nuk është në standardin dhe nuk i plotëson standardet sipas instrumenteve ndërkombëtare që përcaktojnë se avokati i popullit duhet të jetë i pavarur, i paanshëm”, ka thënë Qelaj.
Qelaj është shprehur se është i shqetësuar edhe sa u takon pretendimeve të ekipeve mbrojtëse të ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
“Unë kam shprehur shqetësimin tim në hetimet e fundit që i ka zhvilluar kjo gjykatë në raport me ekipet mbrojtëse. Kam konsideruar që çdo hetim i mbrojtjes në një proces gjyqësor, lë mundësinë për ndikim dhe ushtrim ndikimi... Në kuadër të kësaj, kam deklaruar që do të jetë në interesat e institucionit të Avokatit të Popullit që ta monitorojë një ose disa seanca”, ka thënë ai.
Ditë më parë, katër ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, përmes një letre ishin ankuar për trajtimin që po ua bën gjykata. Sipas tyre, ajo ka humbur paanshmërinë.
Ndërkohë, të martën, dënimin prej 4 vjetësh e 3 muajsh të shqiptuar nga Gjykata Speciale, ka njoftuar se e ka përfunduar të martën ish-kreu i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati.
Në një postim në rrjetet sociale, ai shkroi se çdo herë do të jetë në mbrojtje të vlerave të luftës.
“Gjatë qëndrimit në Hagë së bashku me shokët dhe bashkëluftëtarët i qëndruam pranë njëri-tjetrit dhe secili nga ne treguam zotësi të vërtetë dhe qëndruam ballëlartë dhe krenarë për veprat tona, asnjëherë nuk u dorëzuam, por liria ime nuk mund të jetë liri e plotë pa shokët, duke filluar nga Baca Jakup, Hashimi, Kadriu, Rexha, Cali e Pjetri, të cilët janë të pafajshëm dhe i duhen më shumë se kurrë Kosovës sot”, ka thënë Gucati.
Gucati ishte dënuar nga Specialja për pesë vepra penale që ndërlidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.
Bashkë me të ishte dënuar edhe zëvendësi i tij në OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj.
Të dy një pjesë të dënimit e kishin vuajtur në burg e një pjesë e kaluan në shtëpitë e tyre si të liruar me kusht.