Ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Sylejman Selimi, e ka përmbyllur të enjten dëshminë para Dhomave të Specializuara në Hagë. E kërkesa e përbashkët e mbrojtjes, e cila lidhet me dyshimet për anshmërinë e gjyqtarëve është bërë pjesë e diskutimit edhe në ditën përmbyllëse. Selimi e ka përmbyllur dëshminë në Hagë, ndërsa avokati i tij, Artan Çerkini, ka njoftuar se me këtë është mbyllur edhe hetimi i Speciales ndaj klientit të tij
Shqetësime lidhur me anshmërinë e gjyqtarëve kanë shprehur sërish të enjten avokatët mbrojtës, në rastin ku për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit janë duke u gjykuar ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së – Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
Në ditën e katërt të dëshmisë së ish-komandantit të përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi, të enjten në Hagë, avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, ka kërkuar sqarime lidhur me ankesën e paraqitur në nëntorin e vitit të shkuar për anshmëri të trupit gjykues. Dixon ka thënë se ende nuk është pranuar përgjigje për ankesën e shtruar edhe nga ekipet mbrojtëse të Thaçit, Krasniqit e Selimit.
Reagimi i avokatit është bërë teksa gjyqtari Guénawl Mettraux ka qenë duke e pyetur Selimin lidhur me përfshirjen e Ferat Shalës në Shtabin e Përgjithshëm.
“Këto nuk janë pyetje sqaruese, këto janë pyetje që po i përdorni si bazë ju, nga ana e trupit gjykues. Këtë e kemi trajtuar në mocionin tonë. Këto janë pyetje që mund t’i bëjë pala në pyetjet plotësuese, këto nuk janë pyetje që duhet t’i bëjë trupi gjykues, dhe unë desha të dija a keni marrë ju ndonjë vendim lidhur me mocionin tonë që është ende pezull?”, ka pyetur gjyqtari Mettraux.
“Vendimi ynë është që do të vazhdojmë me pyetjet në formën siç e kemi bërë, pyetjet lejohen nga rregullorja e procedurës dhe mund të bëjmë pyetje nga çdo temë e mundshme”, ka theksuar Charles Smith, kryetar i trupit gjykues.
Gjyqtari Mettraux ia ka paraqitur Selimit një dokument të vitit 1999, në të cilin thuhej se kryeministri i qeverisë se përkohshme, Hashim Thaçi, e ka emëruar atë shef të gardës kombëtare.
Mirëpo avokati i Thaçit, Luka Mishetiq, ka theksuar se dokumenti nuk e përmban nënshkrimin e Thaçit.
Selimi, komandant i përgjithshëm është emëruar në shkurtin e vitit 1999, në kohën sa po zhvillohej Konferenca e Rambujesë. Para kësaj, ai ka qenë komandant i Zonës Operative të Drenicës dhe ka thënë se gjatë kësaj kohe ka pasur shumë ankesa për punën e Shtabit dhe të zëvendëskomandantëve, Sokol Bashota dhe Jakup Krasniqi.
“Për shembull, zëvendëskomandanti për operacione asnjëherë nuk ka qenë në terren me ekip, t’i shohë forcat e armikut, si të veprohet, të më ofrohet një plan operacional apo të mbështetë me pajisje. Të gjitha këto një shtab duhet t’i përgatisë t’i ketë që të mbështetë si zonë, unë asnjëherë s’i kam pasur. Është dashur vetë si komandant zone të merrem me veprimet, me analizën e luftës dhe me përgjegjësi, dhe me situatën e krijuar në ato momente”, ka theksuar Selimi.
Ish-komandanti Selimi, i njohur si “Sulltani”, pas luftës është gjykuar në Kosovë për krime lufte në rastet e njohura si “Drenica 1 dhe 2”. Ai është dënuar më 2015 për rastin “Drenica 2” me 6 vjet burgim, me vendim të formës së prerë.
E për rastin “Drenica 1”, Selimi është shpallur i pafajshëm në prill të vitit të kaluar.
Selimi të enjten ka përmbyllur dëshminë në Hagë, ndërsa avokati i tij, Artan Çerkini, ka njoftuar se me këtë është mbyllur edhe hetimi i Speciales ndaj klientit të tij.