Qeveria e ka emëruar drejtor të përgjithshëm të Akreditimit në Ministrinë e Tregtisë e Industrisë të dyshuarin për keqpërdorim me rezerva shtetërore, Irfan Lipovica. Ai është arrestuar në gusht të vitit 2023 së bashku me dy persona të tjerë, me dyshimin se në kundërshtim me procedurat kanë kryer pagesat për sasi të mëdha të miellit e vajit, pa u pranuar malli
I dyshuari për keqpërdorim me rezerva shtetërore, Irfan Lipovica, është avancuar në pozitë, nga ushtrues i detyrës në drejtor të përgjithshëm të Akreditimit në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Vendimi është miratuar të mërkurën nga i gjithë kabineti qeveritar, me propozimin e ministres Rozeta Hajdari.
Në ekspozenë e saj, Hajdari foli për rëndësinë që ka procesi, në krye të të cilit është vënë i dyshuari për keqpërdorim të rezervave shtetërore.
“Akreditimi si një proces me rëndësi të lartë për ekonominë vërteton cilësinë dhe besueshmërinë e institucioneve dhe bizneseve, pasi që përmes këtij procesi vlerësohet përputhshmëria e produkteve dhe proceseve e shërbimeve me standarde ndërkombëtare dhe vendore, duke garantuar kështu që të ofrojë nivel të lartë të cilësisë”, ka thënë ministrja Hajdari.
Lipovica së bashku me Hafiz Garën e Ridvan Muharremin janë arrestuar në gusht të 2023-tës nën dyshimin për veprat “keqpërdorim i detyrës zyrtare”, si dhe “dhënie e ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.
Autoritetet dyshojnë se në kundërshtim me procedurat ligjore, sasi e madhe e miellit dhe vajit është paguar pa u pranuar produktet. Ata u liruan nga paraburgimi për t’u mbrojtur në liri, rreth dy javë pasi u arrestuan. Prokuroria Speciale pati llogaritur se me veprimet e të dyshuarve, buxheti është dëmtuar për mbi 600 mijë euro.
Lipovica në Ministrinë e Industrisë ka mbajtur disa pozita. Në kohën kur është arrestuar ishte në krye të Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave në ministri, derisa paraprakisht ka zëvendësuar edhe sekretarin e përgjithshëm.
Nga ky departament ka kaluar në Drejtorinë e Akreditimit, detyrë të cilën e ka ushtruar nga viti i kaluar.
Në lidhje me emërimin e tij, KOHA ka drejtuar pyetje në Qeveri, por nuk ka pranuar përgjigje.
E para vendimit për emërimin e Lipovicës, kryeministri Albin Kurti ka folur për arritjet, që tha se janë shënuar në katër vjet mandat. Përmendi edhe luftimin e korrupsionit.
“Me vendosmërinë e ligjit, për herë të parë që nga paslufta e kemi vënë në qeverisje veriun e Kosovës. Jemi përmirësuar për 31 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, duke arritur kështu renditjen më të mirë dhe vlerësimin më të lartë ndonjëherë për vendin tonë në këtë indeks”, ka thënë kryeministri Kurti.
Tek i ka bërë bilanc punës, ka thënë se në gjithsej 254 mbledhje, përfshirë edhe ato elektronike, janë marrë 2.257 vendime.
“Në mes të këtyre mbledhjeve janë 1.464 ditë nga dita e parë e marrjes së detyrës. Punë e përditshme nga secila e secili prej jush me rezultate konkrete për gjithsecilin qytetar, që u vlerësua lart nga po ata në zgjedhjet e 9 shkurtit”, ka thënë ai.
Theksin e ka vënë tek veprimet që janë marrë në veriun e banuar kryesisht me serbë.
“Për herë të parë në katër komunat tona në veri po paguhet rryma, po paguhet energjia elektrike. Ka filluar të faturohet edhe tatimi në pronë për komunat në veri të vendit, gjithashtu për herë të parë. Tabela ilegale dhe patentë shoferë ilegalë nuk ka më, sepse janë konvertuar në ato RKS. Strukturat ilegale janë mbyllur, sepse janë të jashtëligjshme”, ka thënë kryeministri Kurti.
“Atje tani ka institucione të Republikës që u shërbejnë qytetarëve pa dallim, biznese që regjistrohen në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës dhe masa të punësimit nga Qeveria e Republikës së Kosovës për banorët e komunave atje. Vetëm me programin ‘Qeveria për Familje’, pra që nuk lë asnjë familje pa dikë të punësuar, i kemi rreth 530 të punësuar në veri nga nacionaliteti serb”.
Mes tjerash, në mbledhjen e ekzekutivit është themeluar Këshilli Organizativ për shënimin e Ditës së Çlirimit të Kosovës, e janë miratuar edhe draftraporti i përgjithshëm vjetor për Inspektimet dhe draftudhëzuesi për Inspektimet e Përbashkëta.