LAJMET E MBRËMJES

Autoritetet vazhdojnë me përgatitje për hapje të urës, ngjyroset pjesa nën të

Rreth dy orë pas protestës së serbëve, tek Ura e Ibrit u shfaqën dy ministra. Xhelal Sveçla e Elbert Krasniqi përcollën testimin e qëndrueshmërisë së urës, proces që Qeveria e ka paralajmëruar se do ta zhvillojë para marrjes së vendimit për ta hapur atë për qarkullim të veturave. Aty u kryen edhe punë të tjera

Pamje të re ka marrë të mërkurën Ura e Ibrit. Hapësira nën të është pastruar e muret e mbuluara me grafite e me mbishkrime u lyen me ngjyrë. 

Puna në urë nisi pas përfundimit të protestës së serbëve kundër hapjes së saj dhe tek pasi aty mbërriti ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ai i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. 
Paraprakisht Sveçla e Krasniqi së bashku me punëtorët e kompanisë së kontraktuar për testimin e qëndrueshmërisë së urës i inspektuan hapësirat.

Ministri i Brendshëm, Sveçla, sërish nuk ka dhënë ndonjë datë se kur do të hapet ura për qarkullim të automjeteve dhe tha se kjo varet nga procesi i testimit të saj. “Inspektimi është në dy faza. Jemi në proces. Jemi duke vepruar sipas planit, të cilin  ne po e ndajmë me të gjithë bashkëpunëtorët dhe nuk po shoh asgjë të jashtëzakonshme”, ka thënë Sveçla.

Ndryshimin e statusit aktual të urës nuk e mbështesin vendet e QUINT-it, BE-së e misioni i NATO-s. Sipas bashkësisë ndërkombëtare, çështja duhet të diskutohet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel. 

Ministri Sveçla ka insistuar se çështja e urës është përmbyllur në dialog. Për këtë janë arritur dy marrëveshje në dialog.

“Kjo çështje është mbyllur më 2016. Nuk është çështje e dialogut fare. Kjo është çështje e së drejtës për t’u hapur dhe është çështje e një vendimi i cili tashmë është publik”, ka thënë ai. 

Sveçla e Krasniqi e kaluan më këmbë urën nga jugu në veri, e matanë urës u ndalën për kafe. 
Pas pauzës disaminutëshe, ministri Krasniqi ftoi qytetarët në një debat publik që është planifikuar të organizohet të enjten. 

“Për të diskutuar situatën se cilat janë brengat e qytetarëve për hapjen e urës – sigurisht që ne do t’i adresojmë secilën nga ato brenga që mund të ngrihen nga ky diskutim edhe të diskutojmë në përgjithësi për krejt situatën e investimeve që janë bërë nga qeveria në këtë pjesë, mirëpo edhe lehtësirat që janë bërë për qytetarët, sidomos për qytetarëve e përkatësisë etnike serbe në vend”, ka thënë ai.

Krasniqi ka shtuar se pret pjesëmarrje të qytetarëve serbë në këtë diskutim derisa e konsideroi “momentum shumë të mirë” zhvillimin e këtij diskutimi.

Para se të largohen ministrat Krasniqi e Sveçla u kthyen sërish nën urë e nga afër vëzhguan punën që është duke u bërë. 

Testimi i stabilitetit infrastrukturor të urës, vlerësimi i rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimi vizual i saj e diskutimet me qytetarë, janë në mesin e veprimeve që institucionet qendrore kanë paralajmëruar se do t’i ndërmarrin para hapjes së saj për qarkullim të automjeteve.
Ura është e mbyllur për qarkullim të automjeteve që nga paslufta.