LAJMET E MBRËMJES

Autobusëve të Podujevës u lejohet qarkullim i kufizuar brenda qytetit në Prishtinë

Shoqata e transportit “Llapi” ka përfunduar të mërkurën grevën njëjavore. Komuna e Prishtinës ka lëshuar pe, duke i lejuar ndërurbanët e Podujevës të futen në qytet, por jo përmes qendrës. Si ndalesë të fundit do të kenë Stacionin e Autobusëve, derisa si linjë do të ndjekin rrugën “Zagrebi”, që i bie mbi stadiumin “Fadil Vokrri”

Pasditen e së mërkurës, transportuesit e udhëtarëve nga Podujeva i kanë dhënë fund grevës 1-javore, pas arritjes së marrëveshjes me Komunën e Prishtinës. 

Autobusët që bartin udhëtarë nga Podujeva, sipas marrëveshjes, mund të qarkullojnë deri në afërsi të Xhamisë së Llapit, por jo të vazhdojnë tutje drejt qendër së Prishtinës siç kanë bërë në të kaluarën.  

Ndalesë të fundit ata do të kenë Stacionin e Autobusëve, derisa si linjë do të ndjekin rrugën “Zagrebi”, që i bie pranë stadiumit “Fadil Vokrri”.

“Marrëveshja me Komunën e Prishtinës është që ne me hy nga rruga e Zagrebit, më pas në stacion - edhe vajtje, edhe ardhje. Normal te shkolla “Model” qysh e njohim qytetarët. Edhe me shku drejt te stacioni i autobusëve, edhe kthimin me bo prapë në rrugën e njëjtë. I lajmëroj qytetarët e Podujevës që tash e tutje e kanë këtu stacionin, edhe me hip, edhe me zbrit”, ka thënë nënkryetari i shoqatës “Llapi”, Mentor Mustafa.

Nënkryetari i Prishtinës, Florian Dushi, ka treguar se kjo linjë do të kalojë në rrugët periferike të qytetit dhe më pak të ngarkuara.

“Ne kemi biseduar me shoqatën e transportit të udhëtarëve nga Podujeva, me Ministrinë e Infrastrukturës po ashtu, dhe kemi ardhur në një përfundim, i cili ka të bëjë me përdorimin e një traseje tjetër, një rruge tjetër alternative nga ajo që këta transportues kanë përdorur në të kaluarën”, është shprehur nënkryetari i Prishtinës, Florian Dushi.

Një javë më parë, Komuna mori vendim për ndalim të autobusëve nga Podujeva që të qarkullojnë në qendër të Prishtinës, me arsyetimin se po shkaktojnë tollovi.