Shoqata e Transportit e Podujevës, edhe në ditën e tretë të grevës, ka kërkuar anulimin e vendimit të Komunës së Prishtinës, i cili ndalon autobusët e linjës së Podujevës që të qarkullojnë brenda qytetit. Në përgjigje të kërkesës së tyre, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka theksuar se vendimi do të mbetet në fuqi
Udhëtarët që lëvizin me autobusët e Podujevës me destinacion Prishtinën duhet të zbresin në fshatin Bërnicë para se t’i afrohen kryeqytetit ose ta vazhdojnë deri në Stacionin e Autobusëve, e jo si deri tash, kur me të njëjtit autobusë ata mund të futeshin thellë brenda në qytet. Vendimi i fundit i Komunës së Prishtinës, obligon autobusët që vijnë nga Podujeva, ashtu siç është vepruar me vite për autobusët e qyteteve tjera të Kosovës, që pikë ndalese të kenë Stacionin e Autobusëve.
Ky vendim nuk është pritur mirë nga kompanitë transportuese të Komunës së Podujevës. Madje, ata prej të mërkurës janë duke protestuar para komunës, duke bllokuar njëri shirit të rrugës me parkimin e autobusëve të tyre.
Mentor Mustafa, nënkryetar i shoqatës së transportit “Llapi”, e sheh problematikë funksionimin e autobusëve me kufizimet e vendosura nga Komuna e Prishtinës. Ai ankohet se autobusët detyrohen të kthehen në fshatin Trudë për të hyrë në autostradë dhe që rrugën drejt stacionit të autobusëve në Prishtinë ta bëjnë pa pasagjerë.
“Ne duhet të kthehemi në autoban, edhe në stacion të autobusëve. Prej stacionit të autobusëve prapa me ardh pa qytetar, me u mbush këtu me udhëtar. Këtu është tmerr i zotit. Çka po na bën Komuna e Prishtinës neve edhe qytetarëve të Podujevës”, është shprehur Mustafa.
E shoferi i autobusit, Sadat Kurtolli, thotë se vendimi ka për synim përfitimet për Komunën e Prishtinës.
“Komuna e Prishtinës nuk po i donë këta, sepse e ka për interesa të veta. Më i dërgu qytetarët na deri këtu, me i zbrit qytetarët edhe qytetarët me e marrë autobusin e trafikut urban me pagu një kosto shtesë prej 80 centëve edhe me vazhdu në qytet”, ka thënë Kurtolli.
Përfaqësuesit e shoqatës së transportit, të premten i takoi kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, i cili vendimin e Komunës e kualifikoi të jashtëligjshëm.
“(Autoritetet e Komunës v.j)Nuk kanë zhvilluar një takim me udhëheqësit e Shoqatës së Autobusëve për zgjidhjen e këtij problemi. Nuk kanë paralajmëruar që autobusët e Podujevës nuk do të lejohen në Komunën e Prishtinës. Edhe pse greva është lajmëruar në Policinë e Kosovës dhe është grevë e ligjshme, policia ka shqiptuar deri në 4 dënime për pronarët e autobusëve”, thuhet në njoftimin pas takimit.
E kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se pavarësisht grevës, vendimi do të mbetet në fuqi.
“Mosrespektimi i vendimit ka sjellë pasoja ligjore, përfshirë gjobat e vendosura nga Policia e Kosovës. Vendimet merren për të mirën e përgjithshme të qytetarëve dhe unë i ftoj protestuesit të respektojnë këto vendime për të siguruar një kryeqytet më të organizuar dhe më të sigurt për të gjithë”, ka thënë Rama në njoftim.
Ai ka kërkuar nga protestuesit që të respektojnë këtë ndryshim.
“Me vëmendje po përcjell protestën e vozitësve të autobusëve nga Podujeva, të cilët po protestojnë para objektit të Komunës kundër vendimit për linjat ndërurbane, vendim i cili është zbatuar dhe respektuar në vazhdimësi nga linjat ndërurbane që vijnë nga Drenasi, Peja, Gjakova, Mitrovica, Ferizaj dhe qytete të tjera”.
Greva e Shoqatës së Transportit të Podujevës, e nisur tash e tri ditë, ka detyruar qytetarët të gjejnë alternativa të ndryshme për të udhëtuar drejt Prishtinës.