Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, është arrestuar të hënën me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit. Mbi të rëndojnë akuzat për korrupsion, pastrim parash e mosdeklarim të pasurisë. Avokati i Metës e ka cilësuar arrestimin si një akt të motivuar politikisht, ndërsa analisti politik Ben Andoni, ka paralajmëruar arrestime të tjera të nivelit të lartë në Shqipëri
Nën akuzat për korrupsion, pastrim parash e mosdeklarim të pasurisë është arrestuar të hënën ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
Ai është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit në Tiranë, teksa ishte duke udhëtuar drejt selisë së partisë së tij.
Avokati i Metës, Genc Gjokutaj, e ka cilësuar arrestimin si një rrëmbim të motivuar politikisht.
“Ai ka mbërritur këtu pas një rrëmbimi bandidesk që i është bërë në rrugë, me një sjellje tejet jo ligjore e gjithë kjo histori ndodhë me një person I cili ka qenë disa herë në SPAK dhe ka dhënë shpjegime në lidhje me çfarë e kanë pyetur dhe kjo çështja ka 5 vjet, dmth këto rrethana që këta mendojnë sot për të goditur me arrest kanë 5 vjet në duart e prokurorëve. Momenti është politik, këtu dyshja Rama Dumani dhe me ndihmën e madhe të ish-bashkëpunëtorëve të Ilir Metës kanë formuar një vendim që ne sapo e kemi marrë”, tha Gjokutaj.
Pas arrestimit, sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka mbajtur një konferencë për media, ku tha se përmes arrestimit të kryetarit të kësaj partie, opozitës i është shpallur luftë.
“Ndaj Ilir Metës nuk ka asnjë akuzë të mbështetur mbi fakte dhe prova nuk ka asnjë provë dhe asnjë dokument dhe asnjë dëshmi të vërtetë që e implikon atë qoftë edhe një fije floku afere korruptive. Gjithçka ka të bëjë me një proces të inskenuar nga Edi Rama dhe e zbatuar nga xhelati i tij në krye të SPAK-ut, kësaj strukture terroriste”, tha Blushi.
E analisti politik, Ben Andoni, ka paralajmëruar edhe arrestime të figurave të tjera të larta në Shqipëri.
“Kur vjen puna për z.Meta dhe këtë e them si paradoks nuk është se në publik ka bërë ndonjë çudi, njerëzit presin me kohë që z.Meta të përgjigjej para drejtësisë. Mendoj që pas këtij momenti Shqipërinë e presin edhe arrestime të tjera të niveleve të larta, dhe kjo e ka bërë spektrin politik shqiptar që të jetë pak më heshtur”, tha Andoni.
Ndaj arrestimit të Metës, ka reaguar edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili edhe vetë po përballet me proces gjyqësor për korrupsion. Sipas tij, bëhet fjalë për një persekutim politik.
E pos Metës, që në të kaluarën e tij politike ushtroi edhe postet e kryeministrit e kryekuvendarit, gjatë së hënës, masa e sigurisë i është caktuar edhe bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi. Masa ndaj saj është caktuar si detyrim paraqitjeje pranë organeve të drejtësisë.