Të martën në rrjetin social “Facebook” kanë qarkulluar fotografitë e një gruaje me probleme të shëndetit mendor në Gjilan, e cila dyshohet se është dhunuar fizikisht e po ashtu është përdorur seksualisht nga një person në Lipjan. Policia ka konfirmuar arrestimin e të dyshuarit për veprën penale "dhunë në familje". Për këtë rast të premten do të protestohet në Gjilan
Personi që dyshohet se e ka sjellë në këtë gjendje 31-vjeçaren me probleme mendore nga Gjilani, është arrestuar nga Policia.
Raportohet se ai e ka mbajtur viktimën me dhunë për një vit në një shtëpi në fshatin Gadime të Lipjanit.
Sipas Policisë për rajonin e Prishtinës, rasti është iniciuar si dhunë në familje
“Lipjan 09.02.2025 – 13:17. Është raportuar se viktima femër kosovare është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia gjatë ditës ka konfirmuar se i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Ndërkohë, avokati i viktimës, Hamdi Jashari, ka deklaruar se rasti nuk ka të bëjë me dhunë në familje
“Kjo aspak nuk ka të bëjë me dhunë në familje, sepse viktima dhe i dyshuari nuk e gëzojnë epitetin dhe statusin e të martuarve. Jetesa e përbashkët që ata e kanë zhvilluar në përdorim të dhunës, mashtrimit, kanosjes dhe duke e shfrytëzuar gjendjen e saj mendore nuk ka të bëjë me bashkëjetesë”, ka deklaruar Jashari.
Sipas avokatit, viktima 31-vjeçare është abuzuar dhe keqtrajtuar për më shumë se një vit. Ai ka treguar se i dyshuari është nga Komuna e Vitisë, por që ngjarja ka ndodhur në fshatin Gadime të Lipjanit.
“Dyshohet që është keqtrajtuar dhe abuzuar në mënyrë sistematike që një vit nga një person nga Komuna e Vitisë, i cili duke e shfrytëzuar gjendjen e saj mendore ka arritur që ta manipulojë. Fillimisht e ka bindur që “jam i interesuar të bashkëjetoj me ty, të të marr për grua”. Ka arritur që të njëjtën ta dërgojë në një fshat të Komunës së Gjilanit, në të cilën kanë bashkëjetuar”, ka shtuar Jashari.
Për vërtetimin e këtyre pretendimeve, prokuroi Isuf Sadiku, ka thënë se ka autorizuar Policinë për të hetuar rastin.
“Kjo prokurori ka autorizuar Policinë për të mbledhur informacione përkitazi me këto pretendime apo foto nëpër rrjetet sociale. Nga informatat e para që Prokuroria ka në dispozicion bëhet fjalë për qytetaren me emrin Adile Sadriu e cila është qytetare nga Gjilani. Rasti, siç duket ka ndodhur jo në Komunën e Gjilanit por ka ngjarë në Lipjan. Pra kompetente për ta trajtuar rastin më tutje është Prokuroria në Prishtinë”, ka theksuar Sadiku.
Viktima më herët kishte jetuar në Gjilan me nënën e saj, e cila gjithashtu dyshohet të ketë probleme mendore.
Ushtruesi i detyrës në Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Gjilan, Hekuran Rapuci, ka thënë se institucionet ishin në dijeni për gjendjen e viktimës, por ajo kishte refuzuar të strehohej.
“Si qendër për punë sociale na kena propozu për shumë herë që Adilja me u vendos te strehimorja “Iliria”, problem është që Adilja nuk ka pranu në asnjë lloj forme me u vendos aty”, ka theksuar Rapuci.
E Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist ka thirrur protestë për të premten në Gjilan për siç thuhet në njoftim “kundër dhunës”.