Është arrestuar një person i cili dyshohet se para katër ditësh e ka kërcënuar kryeministrin Albin Kurti në rrjete sociale. Sipas informacioneve të ofruara nga policia, në banesën e të dyshuarit është gjetur një pushkë gjuetie pa leje. I dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë
Policia ka arrestuar një person i cili e ka kërcënuar kryeministrin Albin Kurti nëpërmjet shkrimeve në rrjete sociale.
I arrestuari, kërcënimet i ka bërë në emër të Brigadës së Veriut, organizatë kjo e shpallur terroriste nga Qeveria.
Në njoftimin e policisë thuhet se i dyshuari veprën e ka kryer të martën.
“Përmes rrjeteve sociale është kanosur kryeministri i Republikës së Kosovës, si dhe postime kërcënuese për dhunë në emër të ‘Brigada sever’. Nga veprimet hetimore është identifikuar i dyshuari M.R. (mashkull kosovar, viti i lindjes 2004)”, ka bërë të ditur Policia.
20-vjeçari është marrë në pyetje në prezencë të avokatit, ndërsa gjatë kontrolleve në banesën e tij policia ka gjetur armë pa leje.
“Është gjetur dhe sekuestruar një armë gjuetie pa leje. Pas përfundimit të marrjes së deklaratës, me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, të dyshuarit i caktohet masa e ndalimit policor prej 48 orëve. Hetimet lidhur me rastin do të vazhdojnë nën autorizimin e prokurorit të rastit nga Prokuroria Themelore Mitrovicë”, ka bërë të ditur Policia.
Më 8 gusht të vitit 2023 një person u dënua me 2000 euro gjobë pasi nëpërmjet rrjeteve sociale kishte kërcënuar ish-kryeministrin Avdullah Hoti, i cili është deputet i Lidhjes Demokratike.